Kërkesa për shkarkimin e Ols Dados, Veliaj i kërkon KLP informacion
Katër persona u arrestuan pas hetimeve intensive proaktive disa mujore të Prokurorisë pranë Gjykatës sē Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprat penale të kryera në bashkëpunim “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, të parashikuara nga nenet 174, 178 dhe 179 të Kodit Penal.
Pas informacioneve të siguruara nga Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë dhe as një periudhe disa mujore hetimesh intensive, përmes vëzhgimeve të fshehta, monitorimit të lëvizjeve dhe përdorimit të teknikave speciale hetimore, në kuadër të procedimit penal nr.438 të vitit 2026 u bë e mundur zbulimi dhe dokumentimi i plotë i një skeme të mirëorganizuar të kontrabandës së mallrave nga Greqia drejt Shqipërisë.
Nga hetimet rezultoi se shtetasit me iniciale V.N. dhe A.N., në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë, kishin ngritur një aktivitet të qëndrueshëm kriminal për futjen e konfeksioneve në mënyrë të paligjshme në territorin shqiptar. Ata udhëtonin drejt shtetit grek me automjete të përshtatura posaçërisht për këtë veprimtari, të cilave u ishin hequr sediljet e pasme për të rritur kapacitetin transportues dhe për të shmangur dyshimet gjatë lëvizjeve.
Sipas skemës së zbuluar, mallrat siguroheshin në Greqi dhe liheshin pranë vijës kufitare, ndërsa më pas transportoheshin në mënyrë të paligjshme përmes kufirit të gjelbër nga bashkëpunëtorë të tjerë. Në disa raste, mallrat merreshin nga vetë organizatorët në zonat kufitare, ndërsa në raste të tjera transportoheshin me mjete drejt qytetit të Korçës, ku magazinoheshin dhe më pas hidhej në treg përmes subjektit tregtar të administruar nga shtetasit A.N. dhe V.N..
Gjatë hetimeve, strukturat përgjegjëse kanë mbajtur në vëzhgim të vazhdueshëm personat e dyshuar, duke dokumentuar lëvizjet ndërkufitare, përdorimin e automjeteve të modifikuara pa sedilje dhe mënyrën e bashkëpunimit me persona të tjerë në realizimin e kontrabandës. Këto metoda proaktive kanë bërë të mundur evidentimin e plotë të mekanizmit kriminal dhe ndërhyrjen në momentin e duhur.
Për rrjedhojë, u arrestuan shtetasit V.N., A.N., A.L. dhe S.N., të cilët u konstatuan duke shkarkuar mallra të dyshuara kontrabandë në një ambient magazinimi në qytetin e Korçës. Gjatë ndërhyrjes u sekuestruan 15 thasë me konfeksione, me një total prej 1632 copë veshjesh, si dhe në ambientet e magazinës janë gjetur edhe 73 thasë të tjerë dhe mallra rifuxho me peshë totale 1357 kg. Po ashtu u sekuestruan automjete të përdorura për transportin e mallrave, përfshirë mjete të modifikuara pa sedilje, si dhe aparate celularë dhe dokumentacion i ndryshëm që lidhet me aktivitetin kriminal.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të kësaj skeme dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në të.
Top Channel