Franca kërkon ndryshime në BE, presion mbi Zvicrën për pagesën e përfitimeve të papunësisë për punëtorët ndërkufitarë

12/05/2026 20:55

Ministri francez i Punës, Jean-Pierre Farandou, ka deklaruar se Franca synon të ushtrojë presion mbi Zvicrën për zbatimin e një marrëveshjeje të re evropiane që ndryshon rregullat e pagesës së përfitimeve të papunësisë për punëtorët ndërkufitarë.

Sipas tij, në të ardhmen përfitimet do të paguhen nga vendi i punës dhe jo nga vendi i rezidencës, një ndryshim që Franca e konsideron të rëndësishëm edhe nga ana financiare, pasi aktualisht, sipas tij, “humbet 860 milionë euro në vit”.
Farandou bëri të ditur në parlament se një model i ngjashëm tashmë po zbatohet me Luksemburgun, i cili, sipas tij, do të duhet të përshtatet me rregullat e reja evropiane pas marrëveshjes së arritur më 29 prill mes 27 vendeve të BE-së, pas një procesi negociatash që ka zgjatur një dekadë.


Luksemburgu është një nga destinacionet kryesore të punës për punëtorët francezë ndërkufitarë dhe sipas të dhënave të fundit, rreth 8,800 persona që kanë punuar atje përfitojnë aktualisht pagesa papunësie në Francë.
Megjithatë, destinacioni kryesor mbetet Zvicra, e cila nuk është pjesë e Bashkimit Evropian. Aktualisht, Franca paguan përfitime papunësie për rreth 27,500 persona që kanë punuar në Zvicër.
Farandou theksoi se ekzistojnë marrëveshje bashkëpunimi mes Zvicrës dhe BE-së, dhe shprehu bindjen se përmes presionit evropian, rregullat e reja do të zbatohen edhe nga Berna.
“Do të duhet pak kohë, por do të kemi sukses. Jam i sigurt. Mbështetuni tek unë për ta çuar përpara këtë reformë”, u shpreh ai.

Top Channel