“Është një pasqyrë shembullore e zhvillimeve në bujqësi”, Rama nga Cërriku: Do të firmosim një marrëveshje të rëndësishme me Izraelin, kemi gjithçka na duhet, por…

12/05/2026 19:13

Gjatë fjalës së tij në fermën eksperimentale në Cërrik, Kryeministri Rama foli për projektin e vënë në jetë nga MASHAV – Agjencia Izraelite për Zhvillim që do të shërbejë si një platformë edukimi, trajnimi dhe demonstrimi për nxënësit dhe fermerët, të cilët do të mund të përdorin metoda inovative për kultivimin e produkteve bujqësore.

Kryeministri u shpreh se së shpejti vendi ynë do të firmosi një marrëveshje të rëndësishme me Izraelin, duke e marrë shembull për progresin që ata kanë bërë në fushën e bujqësisë.

Me shumë kënaqësi jam së bashku me një mike të çmuar të Shqipërisë dhe një punëtore të palodhur për të bërë të mundura eksperienca si kjo e sotme, ambasadoren e Izraelit. Bashkë me të dhe një grup dashamirësish, siç janë edhe tre protagonistët e këtij programi që erdhën këtu për të ndarë eksperiencën e tyre dhe çfarë ata kanë mësuar në një vend i cili e ka nisur ngritjen e bujqësisë në shkretëtirë, duke mos pasur ujë, dhe sot është një vend që është një pasqyrë shembullore e asaj që mund të bëjë mendja e njeriut kur gjendet në situata që të krijojë rrugë të reja dhe të gjejë shtigjet për t’u mbijetuar kushteve të pafavorshme gjeografike.

Ne kemi gjithçka na duhet, por ajo që na ka munguar ka qenë një fokus tek inovacioni dhe eksperiencat më të mira. Jam shumë falënderues miqve izraelitë dhe duket si një kopësht i një shtëpie, por në fakt është zemra e një ferme eksperimentale; këtu bëhen eksperimente me kultura të ndryshme, ndërsa në anën tjetër janë edhe bagëtitë me të cilat punojnë nxënësit.

Qëlloi rastësisht që para se të vija këtu isha me ish-rektorin e famshëm të Universitetit të Bokut Vjenës, me të cilin Universiteti Bujqësor  ynë ka bërë një partneritet strategjik me synimin që të kemi një njësim të programeve me Vjenën dhe dekada e ardhshme të jetë dekada kur studentët të marrin diploma të barasvlershme me studentët atje.

Arsyeja pse e solla këtë këtu është se me shumë kënaqësi pashë që shifra e interesimit për t’u bërë pjesë e UBT-së është rritur në mënyrë të ndjeshme. Kjo vjen si rezultat i faktit që vajzat dhe djemtë, kur shohin një mundësi për t’u edukuar dhe për të marrë dije cilësore, nuk e lënë atë mundësi pa e shfrytëzuar dhe të gjitha ato paragjykime për fshatin dhe bujqësinë bien si kështjella rëre kur një mundësi reale shfaqet dhe krijohen kushtet që pastaj gjërat të marrin një drejtim tjetër.

Kjo është arsyeja pse ne kemi të gjitha shkaqet për të qenë optimistë edhe për këtë program, shkollë dhe bashki që ka hedhur hapa të admirueshëm në drejtim të vënies në shfrytëzim të atyre që ofron sot teknologjia në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm, uljes së kostove, rritjes së cilësisë së mjedisit dhe me radhë. Më vjen mirë për këtë zhvillim kaq pozitiv.

Kemi besim plot që ky është vetëm një hap dhe ndërkohë presim me padurim që të firmosim edhe një marrëveshje të rëndësishme me Izraelin për të hapur një kapitull tjetër në këtë marrëdhënie që është shumë e rëndësishme për të marrë sa më shumë dije dhe për të transferuar këtu sa më shumë eksperiencë nga ai vend shembull në të gjitha fushat, përfshirë edhe bujqësinë”, u shpreh Kryeministri Rama.

Top Channel