Trump niset drejt Kinës, kërcënon Iranin dhe sulmon gazetarët gjatë deklaratave në Shtëpinë e Bardhë
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se lufta mes Rusisë dhe Ukrainës “do të përfundojë shumë shpejt”, ndërsa komentoi gjithashtu negociatat me Iranin dhe tensionet në Lindjen e Mesme.
Duke folur me gazetarët në lëndinën jugore të Shtëpisë së Bardhë, përpara nisjes së tij drejt Kinës, Trump u pyet se cila do të ishte “vija e kuqe” për t’i dhënë fund armëpushimit me Iranin. Presidenti amerikan nuk dha një përgjigje konkrete, por tha se do ta shqyrtonte çështjen gjatë udhëtimit.
“Do ta shohim. Do ta mendojmë gjatë fluturimit. Por ne e kemi mundur ushtrinë e tyre me shumë vendosmëri. Kjo ka mbaruar”, deklaroi ai.
Trump tha gjithashtu se, gjatë negociatave me Iranin, fokusi i tij kryesor nuk është situata ekonomike e amerikanëve, por çështja bërthamore iraniane.
“I vetmi prioritet kur flas për Iranin është që ai të mos ketë armë bërthamore. Nuk po mendoj për gjendjen ekonomike të amerikanëve”, u shpreh presidenti amerikan.
Kur u pyet sërish nëse nuk e merrte parasysh ndikimin ekonomik te qytetarët amerikanë, Trump theksoi se çështja e armëve bërthamore iraniane është më e rëndësishme se çdo luhatje e tregjeve financiare.
“Gjëja më e rëndësishme është që Irani të mos ketë armë bërthamore. Të gjithë amerikanët e kuptojnë këtë”, tha ai.
Presidenti amerikan komentoi edhe raportet me Kinën dhe presidentin Xi Jinping, duke deklaruar se nuk mendon se Pekini duhet të ndërhyjë për çështjen iraniane.
“Nuk mendoj se kemi nevojë për ndihmë nga Kina për Iranin”, u shpreh Trump.
Megjithatë, javën e kaluar ai kishte deklaruar për Fox News se Kina “mund të jetë më e dobishme” për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë strategjike për tregtinë globale të naftës.
Top Channel