BE e shqetësuar për Kosovën, Kallas: Procesi i dialogut me Serbinë po shtyhet sërish, shkak u bënë zgjedhjet e reja

12/05/2026 13:07

Bashkimi Evropian i ka parë si shqetësuese proceset e njëpasnjëshme zgjedhore në Kosovë. Shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, të hënën tha se për shkak të zgjedhjeve ka vonesa edhe në procesin dialogues mes Kosovës dhe Serbisë.

Ne në fakt kishim planifikuar dialogun Beograd-Prishtinë në nivel të lartë politik. Kisha marrë pajtimin nga të dy liderët, si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia, por tani në Kosovë po afrohen sërish zgjedhjet, gjë që natyrisht e shtyn këtë proces”, deklaroi Kaja Kallas, kryediplomate e Bashkimit Evropian.

Para takimit që pati me ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës, Kallas shtoi se po punon me palët për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tash në dialog. Por, përpos vonesave në procesin e negociatave me Serbinë, njohësit thonë që Kosova po e humb hapin edhe në procesin e integrimit në bllok.

Pasoja e parë, ne mund të ndodhë që nuk jemi në Këshill të Evropës, kemi apliku për anëtarësim në Bashkimin Evropian, për marrjen e statusit kandidat, duhet me i plotësu disa kritere nuk mundemi për shkak që nuk ka qeveri legjitime dhe legale”, u shpreh Naim Jakaj, hulumtues, IKD.

Për shkak të dështimit të zgjedhjes së presidentit më 28 prill, Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare që do të mbahen më 7 qershor, të tretat në një vit e gjysmë.

Top Channel