Ambjentet e reja të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), të inauguruara ditën e hënë, janë realizuar falë një mbështetjeje financiare të dhënë nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), në kuadër të përdorimit të të ardhurave nga asetet e sekuestruara e konfiskuara për forcimin e institucioneve të drejtësisë dhe luftës kundër krimit të organizuar.
AAPSK ka alokuar gjatë vitit 2025 përmes disa vendime të Komitetit Ndërinstitucional për Masat kundër Krimit të Organizuar financime me vlerë 104.2 milionë lekë.
Kështu, AAPSK ka financuar projektin për rikonstruksionin e sallave të gjykimit dhe ambienteve të brendshme të GJKKO-së me një fond total prej rreth 72 milionë lekë. Financimi përfshin rikonstruksionin e katër sallave të gjykimit, ambienteve të përbashkëta, si edhe investime për sigurinë dhe infrastrukturën e institucionit.
Në kuadër të këtij projekti janë kryer edhe pagesa specifike për rikonstruksionin e zyrave të gjyqtarëve dhe kryesekretarisë, si edhe hartimin e projektit për rikonstruksionin e ambienteve të përbashkëta në katet 0, 1, 2 dhe 3, me vlerë 27.2 milionë lekë, si edhe për blerjen dhe instalimin e disa pajisjeve për sigurinë dhe përmirësimin e infrastrukturës së ndërtesës me vlerë 5 milionë lekë.
GJKKO, në raportin vjetor të institucionit, ka shprehur falënderim të posaçëm për AAPSK dhe Kryeadministratoren Risena Xhaja, duke theksuar se mbështetja financiare e ofruar gjatë vitit 2025 ka qenë “thelbësore për përmirësimin e kushteve të punës në gjykatë dhe për krijimin e ambienteve më të përshtatshme dhe më dinjitoze”.
Sipas gjykatës, kjo mbështetje ka ndihmuar drejtpërdrejt në krijimin e kushteve bashkëkohore të punës dhe sigurisë për një institucion ku trajtohen çështje me rëndësi të veçantë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Top Channel