45 milionë njerëz rrezikojnë urinë, OKB paralajmëron krizë globale urie nëse nuk hapet Ngushtica e Hormuzit: Bota ka vetëm disa javë kohë

12/05/2026 08:48

Bota mund të përballet me një krizë masive urie nëse Ngushtica e Hormuzit nuk rihapet së shpejti. Paralajmërimi është dhënë nga një grup pune i OKB-së, që ngre alarmin për pasoja të rënda në furnizimin global me ushqime.

Sipas Jorge Moreira da Silva, drejtor ekzekutiv i Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve, rreth 45 milionë njerëz mund të përballen me uri dhe mungesë ushqimi për shkak të bllokimit të furnizimit me plehra kimikë.

Një e treta e plehrave kimikë në botë, përfshirë amoniakun, urenë dhe squfurin, transportohen zakonisht përmes Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më strategjike detare në botë. “Kemi vetëm disa javë kohë për të parandaluar një krizë të madhe humanitare”, deklaroi da Silva.

Ai theksoi se sezoni i mbjelljeve në disa vende afrikane po afron me shpejtësi dhe mungesa e plehrave kimikë mund të shkaktojë rënie të ndjeshme të prodhimit bujqësor.

Sipas OKB-së, edhe vendet aziatike pritet të goditen rëndë nga kriza e mundshme e furnizimit.

Tensionet në rajon dhe bllokimi i trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit kanë ngritur shqetësime globale për energjinë, tregtinë dhe tashmë edhe sigurinë ushqimore. “Është vetëm çështje kohe. Nëse nuk ndalet shpejt kjo krizë, pasojat humanitare do të jenë të pashmangshme”, paralajmëroi zyrtari i OKB-së.

Top Channel