Një spanjoll në bordin e MV Hondius rezulton pozitiv me hantavirus, anija niset drejt Rotterdamit
Një gjykatë në Spanjë ka dënuar me tre vite burg një çift, pasi mbajtën të izoluar tre fëmijët e tyre për gati katër vite, duke pretenduar se po i mbronin nga pandemia e Covid-19.
53-vjeçari gjerman Christian Steffen dhe bashkëshortja e tij amerikane Melissa Anne Steffen u shpallën fajtorë nga gjykata në Oviedo për “dhunë sistematike psikologjike” dhe braktisje familjare, pasi autoritetet zbuluan kushtet tronditëse në të cilat jetonin tre fëmijët e tyre. Sipas hetimeve, çifti i kishte mbajtur të izoluar dy binjakët tetëvjeçarë dhe vëllain e tyre 10-vjeçar nga fundi i vitit 2021 deri në prill të vitit 2025. Fëmijët nuk kishin kontakt me botën jashtë, nuk ndiqnin shkollën dhe jetonin në kushte të rënda higjienike.
Condenado a 2 años y 10 meses de cárcel el matrimonio de Oviedo que encerró a sus hijos varios años.https://t.co/WUdtZqbSzN
— EFE Noticias (@EFEnoticias) May 11, 2026
Kur policia hyri në banesë, gjeti mbeturina, pelena dhe produkte sanitare të përdorura, ndërsa fëmijët mbanin maska, flinin në shtretër të ngjashëm me kafaze dhe kishin probleme serioze fizike e psikologjike. Sipas autoriteteve, ata kishin vështirësi në ecje, probleme me kontrollin e nevojave personale dhe vonesa të mëdha në zhvillim.

Hetuesit zbuluan gjithashtu se binjakët nuk dinin as të lexonin dhe as të shkruanin, ndërsa asnjëri prej fëmijëve nuk ishte kontrolluar nga mjekët prej vitit 2019. Rasti u zbulua falë dyshimeve të një fqinje, e cila vuri re lëvizje të çuditshme dhe sasi të mëdha pelenash në porositë e familjes.

Ajo mblodhi prova dhe njoftoi autoritetet, çka çoi në ndërhyrjen e policisë. Gjykata urdhëroi gjithashtu heqjen e të drejtave prindërore për më shumë se tre vite, ndalimin e afrimit pranë fëmijëve dhe pagesën e 30 mijë eurove dëmshpërblim për secilin prej tyre.
Fëmijët ndodhen aktualisht nën kujdesin e shërbimeve sociale, ndërsa psikologët dhe edukatorët po punojnë për rehabilitimin e tyre pas traumës së rëndë që kanë përjetuar.
Top Channel