Ilir Meta reagoi pas seancës gjyqësore, duke deklaruar se Prokuroria ka rrëzuar akuzën kryesore ndaj tij për lobimin e pretenduar prej 1 milion dollarësh për një foto me Presidentin Donald Trump.

Sipas Metës, prokurori pranoi në gjykatë se bëhet fjalë vetëm për një pagesë prej 15 mijë dollarësh për kompaninë “McKeon Group”, të cilën ai thotë se e ka deklaruar publikisht dhe para SPAK-ut prej tre vitesh.

Meta akuzoi mediat e huaja “Mother Jones” dhe “Kronen Zeitung” për publikimin e lajmeve të rreme, që sipas tij u përdorën për ndërtimin e akuzës dhe izolimin e tij politik për 19 muaj. Ai shtoi se edhe akuzat e tjera ndaj tij do të “çmontohen njëra pas tjetrës”.
Reagimi i Metës:

Sot, në seancën radhës të gjykimit në themel, vetë Prokuroria rrëzoi akuzën kryesore ndaj meje për gjoja lobimin 1 milion USD për një foto me Presidentin Trump.

Para gjykatës prokurori pohoi se bëhet fjalë vetëm për një pagesë të ligjshme prej 15 mijë USD për McKeon Group, pikërisht ajo që kam deklaruar publikisht, por edhe në SPAK, që para 3 vitesh, kur jam thirrur për këtë çështje.

Shikoni tani titujt e lajmeve të rreme të “Mother Jones” dhe “Kronen Zeitung”, të sponsorizuara me paratë e inceneratorëve dhe të mafias ndërkombëtare, mbi të cilat u ndërtua kallëzimi i rremë dhe akuza kryesore kundër meje, akuzë mbi të cilën u mbështet rrëmbimi dhe izolimi im politik prej 19 muajsh, akuzë që sot u rrëzua nga vetë Prokuroria.

Durim! Edhe akuzat e tjera do të çmontohen njëra pas tjetrës.

Top Channel