Bashkimi i së djathtës i paralajmëruar për një kohë të gjatë nga Lidhja Demokratike e Kosovës kulmoi fundjavën e shkuar me rikthimin e Vjosa Osmanit.

Partia më e vjetër në Kosovë, në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit garon me Osmanin si bartëse të listës e kandidate për presidente e kryetarin e saj, Lumir Abdixhikun si kandidat për kryeministër.

Nga zyrtarizimi i bashkimit, nga LDK-ja thanë se synojnë të çrrënjosin një qeverisje të dëmshme, por njohësit thonë se rikthimi i Osmanit ka nxitur përçarje të brendshme, pasi disa figura kyçe të kësaj partie si Hykmete Bajrami e Avdullah Hoti munguan në tubimin e së dielës.

“Kjo manifeston dhe shpreh pakënaqësinë e një grupi me ndikim në Lidhjen Demokratike të Kosovës për këtë rikthim, ata vënë në pah sjelljet e Vjosa Osmanit e cila e kishte dëmtuar tej masë Lidhjen Demokratike të Kosovë dhe mbase të njëjtit me të drejtë kërkojnë përgjegjësi më të madhe politike edhe nga ata që ia hapën derën”, u shpreh analisti politik Afrim Kosollari.

Njohësit janë skeptik edhe sa i përket suksesit që Osmani mund të ia sjell Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e ardhshme, pikërisht për shkak të bashkëpunimit të ngushtë që kjo e fundit kishte me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.

“Kjo pëlqyeshmëri publike a do t’i kthehet në forcë politike, mbetet të shihet, mirëpo ajo që është e rëndësishme të thuhet është se disa prej argumenteve që ajo sot i potencon kundër pushtetit të Albin Kurtit, nuk është nuk është bashkëfajtore në krijimin e asaj klime politike”, u shpreh Kosollari.

Megjithatë, ndryshe nga se proklamohet nga partitë politike që do t’i vije fundi krizave, njohësit thonë që as nga zgjedhjet e qershorit nuk zgjidhet ngërçi politik.

“Duke që kemi hy në një cikël të krizave permanente të zgjedhjeve të vazhdueshme ciklike në Republikën e Kosovës për shkak të paaftësisë politike për të gjetur zgjidhje”, tha analisti.

Për shkak të dështimit të zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, Kosova mban zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 7 qershor, të tretat brenda 16 muajsh.

Top Channel