Nuk u lejuan të hynin në ambientet e tregut të fruta-perimeve, tregtarët e Vlorës mblidhen në protestë: Po pësojmë humbje ekonomike

11/05/2026 09:40

Tregtarët e tregut të fruta-perimeve, por dhe ata të tregut industrial në qytetin e Vlorës, janë mbledhur këtë të hënë sërish në protestë, pasi nuk janë lejuar të hyjnë jo vetëm në ambientet e tregut, por as në dyqanet e tyre.

Sipas tregtarëve, situata ka ardhur si pasojë e punimeve për rikonstruksionin e tregut të madh të qytetit, investim i cili ka nisur prej pak ditësh.

Ata shprehen se bllokimi i hyrjes po u shkakton humbje të konsiderueshme ekonomike, pasi kanë mallra me vlerë miliona lekë që rrezikojnë të dëmtohen, ndërsa nuk mund të hapin as qepenat e bizneseve të tyre. Ndërkohë që dyqanet që janë në treg, në vendimin e parë do të lejoheshin të hapeshin, por jo të nxirrnin mallin në rrugë, por as dyqanet nuk janë lejuar sot të hapen.

Pas grumbullimit në treg, protestuesit janë zhvendosur drejt ambienteve të Bashkisë së Vlorës, ku kanë kërkuar një takim me kryetaren e Bashkisë, Brunilda Mersini. Në shenjë revolte, disa prej tyre kanë shtyrë edhe portën kryesore të institucionit.

Nga ana tjetër, kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini, është shprehur se tregtarët janë njoftuar prej 5 muajsh për zhvendosjen e mallrave dhe lirimin e ambienteve, në bazë të afateve të përcaktuara nga vendimi i Këshillit Bashkiak.

Mersini deklaroi gjithashtu është në dispozicion një strukturë tjetër në zonën e Çoles, si edhe tregun industrial, që tregtarët të ushtrojnë aktivitetin gjatë periudhës së rikonstruksionit.

Sipas saj, këto ambiente janë të lira dhe të gatshme për t’u përdorur nga tregtarët, të paktën për një vit, që është edhe afati i parashikuar për përfundimin e punimeve në tregun ekzistues.

Top Channel