Kreu i Gjykatës së Posaçme në përurimin e ambienteve të reja në GJKKO: Drejtësia, një shërbim për qytetarin!

11/05/2026 10:44

Sot përurohen ambientet e reja të Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion dhe Krimi i Organizuar (GJKKO), në një ceremoni ku mori pjesë edhe drejtuesi i saj, Erion Bani.

Në fjalën e tij, Bani theksoi se zgjedhja e ditës së inaugurimit lidhet simbolikisht me “ditën e drejtësisë”, duke e konsideruar këtë një moment të rëndësishëm për institucionin. Ai u shpreh se godina e re është realizuar me mbështetjen e Bashkimi Evropian dhe sipas tij përfaqëson një hap përpara në rritjen e standardeve profesionale të gjykatës.

Drejtësia është, para së gjithash, një shërbim për qytetarin. Gjykata nuk ekziston për veten e saj, por për qytetarin dhe për besimin publik,” u shpreh Bani.

Ai shtoi se ambienti ku jepet drejtësi është pjesë e mesazhit që ajo përcjell, duke theksuar rëndësinë e infrastrukturës në funksionimin e sistemit gjyqësor. Sipas tij, frymëzimi për këtë transformim vjen edhe nga përvoja e gjykatave në Shtetet e Bashkuara, ndërsa e cilësoi investimin si “domosdoshmëri institucionale” dhe jo luks. “Ky transformim nuk është luks, por përgjegjësi ndaj qytetarit,” deklaroi kreu i GJKKO-së.

Top Channel