Të Gjelbrit Europianë: E ardhmja e Mbretërisë së Bashkuar qëndron në BE pas ‘dështimit’ të Brexit

09/05/2026 10:10

Partia e Gjelbër Evropiane ka kërkuar që Mbretëria e Bashkuar të shqyrtojë ribashkimin me Bashkimin Evropian, duke e cilësuar Brexit si një “dështim politik dhe ekonomik”.

Deklarata u miratua në një takim në Bruksel, ku përfaqësues të partive të gjelbra nga vende të ndryshme të Evropës thanë se “e ardhmja e Britanisë së Madhe qëndron në BE” dhe se vendi duhet të konsiderojë rikthimin kur të krijohen kushtet politike.

Bashkëkryetarja e partisë, Vula Tsetsi, tha se qëllimi është hapja e një debati publik në Britani dhe jo imponimi i një vendimi politik.

Ajo shtoi se Brexit ka sjellë pasoja negative afatgjata për ekonominë dhe marrëdhëniet me Evropën, ndërsa tani është momenti për të rihapur diskutimet për të ardhmen.

Debati vjen në një periudhë të vështirë për kryeministrin britanik Keir Starmer, pas rezultateve të dobëta zgjedhore të Partisë Laburiste dhe rritjes së mbështetjes për Reform UK.

Nga ana tjetër, figura të Partisë së Gjelbër në Britani, si Zack Polanski, kanë shprehur hapur mbështetje për një ribashkim të mundshëm me BE-në në të ardhmen.

Sipas deklaratës, edhe pse aktualisht nuk ka shumicë politike për këtë ide, debati për marrëdhëniet e Britanisë me BE-në pritet të vazhdojë të rritet në vitet e ardhshme.

Top Channel