Ishin në fluturim bashkë me gruan e infektuar me hantavirus që ndërroi jetë/ Katër turistë kalojnë tranzit në Romë, vihen në lëvizje autoritetet shëndetësore italiane

09/05/2026 14:55

Katër persona që udhëtuan me një fluturim të kompanisë KLM, ku ndodhej edhe një grua që më vonë humbi jetën nga hantavirusi në Johannesburg, kanë kaluar tranzit në Rome dhe janë vënë nën monitorim nga autoritetet italiane shëndetësore.

Lajmi u bë i ditur nga Ministria italiane e Shëndetësisë, e cila theksoi se rreziku i transmetimit të virusit në Evropë mbetet shumë i ulët.

Sipas deklaratës zyrtare, janë aktivizuar procedurat e vlerësimit të rrezikut, mbikëqyrjes dhe koordinimit shëndetësor, në përputhje me protokollet kombëtare dhe ndërkombëtare. Autoritetet italiane u referohen edhe vlerësimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë të cilat e konsiderojnë rrezikun për popullatën e përgjithshme “të ulët” në nivel global dhe “shumë të ulët” në Evropë.

Sipas ministrisë, katër pasagjerët mbërritën në Itali me një fluturim lidhës drejt Romës, ku për disa minuta kishte udhëtuar edhe gruaja e infektuar. Të dhënat e tyre janë identifikuar dhe u janë përcjellë autoriteteve rajonale në Kalabri, Kampania, Toskana dhe Veneto për ndjekjen e procedurave të mbikëqyrjes aktive.

Një grua që jeton në Florence është vendosur tashmë në karantinë, ndërsa autoritetet presin rezultatet e analizave për të verifikuar praninë e virusit.

Autoritetet spanjolle po monitorojnë gjithashtu situatën, ndërsa anija pritet të mbërrijë në Tenerife. Pasagjerët spanjollë do të zbarkohen të parët dhe do të vendosen në karantinë.

Sipas të dhënave të fundit, nuk janë identifikuar raste të reja të hantavirusit mes 151 turistëve nga 23 vende të ndryshme që ndodhen ende në bord. Pas ndalesës në Tenerife, anija pritet të vazhdojë udhëtimin drejt Holandës.

Top Channel