Irani akuzon SHBA-në për “aventurë ushtarake”, tensione të reja në Hormuz

09/05/2026 07:13

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, akuzoi SHBA-në për “aventurë ushtarake të pamatur”, ndërsa tensionet mes dy vendeve janë rritur sërish në Ngushticën e Hormuzit.

Në një reagim në rrjetin X, Araghchi deklaroi se Irani “nuk do t’i nënshtrohet presionit amerikan”, duke shtuar se Uashingtoni po zgjedh përshkallëzimin ushtarak edhe kur “zgjidhja diplomatike është në tryezë”.

Deklarata vjen pasi SHBA dhe Irani akuzuan njëri-tjetrin për sulmet e fundit në Ngushticën e Hormuzit. Sipas Komandës Qendrore Amerikane (Centcom), forcat amerikane kanë goditur disa anije iraniane dhe kanë ndaluar hyrjen e cisternave në portet iraniane, në kuadër të bllokadës detare të vendosur ndaj Teheranit.

Nga ana tjetër, autoritetet iraniane pretendojnë se SHBA ka kryer sulme ajrore ndaj anijeve dhe zonave bregdetare iraniane pranë Hormuzit. Mediat shtetërore iraniane raportuan për marinarë të plagosur pas një sulmi ndaj një anijeje mallrash.

Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se forcat amerikane kanë shkatërruar raketa, dronë dhe mjete detare iraniane, duke paralajmëruar se SHBA do të reagojë edhe më ashpër nëse nuk arrihet marrëveshje me Iranin.

Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se Uashingtoni pret një përgjigje nga Irani për propozimet amerikane dhe shpreson që negociatat të vazhdojnë.

Situata në Ngushticën e Hormuzit mbetet kritike, pasi përmes kësaj rruge kalon rreth 20% e naftës dhe gazit natyror në botë, ndërsa tensionet kanë sjellë rritje të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Top Channel