Sulm amerikan në Paqësor, dy të vrarë në një anije të dyshuar për trafik droge
Inteligjenca amerikane vlerëson se lideri i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, po luan një rol kyç në drejtimin e strategjisë ushtarake dhe negociatave të Teheranit me SHBA-në.
Sipas raportimeve, Mojtaba Khamenei, djali i liderit të ndjerë suprem Ali Khamenei, po bashkëpunon ngushtë me zyrtarët më të lartë iranianë për menaxhimin e konfliktit dhe bisedimeve diplomatike me Uashingtonin.
Ai nuk është shfaqur publikisht që pas sulmit të rëndë në fillim të luftës, ku mbeti i plagosur dhe ku humbën jetën edhe disa prej komandantëve më të lartë ushtarakë iranianë. Mungesa e tij në publik ka shtuar spekulimet për gjendjen shëndetësore dhe ndikimin real në drejtimin e vendit.
Burime të inteligjencës amerikane thonë se autoriteti brenda regjimit iranian mbetet ende i paqartë, por Mojtaba Khamenei besohet se ka ndikim të madh në vendimmarrje, veçanërisht për negociatat me SHBA-në për t’i dhënë fund luftës.
Ndërkohë, administrata e Donald Trump vazhdon të kërkojë një zgjidhje diplomatike të konfliktit, edhe pse tensionet mes dy vendeve mbeten të larta.
Sipas raportit, inteligjenca amerikane vlerëson se Irani ende ruan kapacitete të rëndësishme ushtarake dhe aftësi për të përballuar për muaj të tërë bllokadën amerikane.
Burimet shtojnë se Mojtaba Khamenei shmang përdorimin e pajisjeve elektronike dhe komunikon vetëm përmes takimeve direkte ose korrierëve, çka e bën të vështirë gjurmimin e vendndodhjes së tij nga shërbimet amerikane.
Top Channel