Humbja e laburistëve në zgjedhjet lokale, reagon zv.kryetarja e partisë: Qytetarët janë të zhgënjyer dhe të frustruar, Starmer ka shumë punë për të bërë

09/05/2026 09:39

Zëvendëskryetarja e Partisë Laburiste, Lucy Powell, deklaroi se kryeministri britanik Keir Starmer po merr përgjegjësinë për rezultatet e dobëta zgjedhore të partisë.

Powell tha se Starmer është “shumë reflektues” dhe e kupton se rezultatet janë “tepër të vështira dhe të dhimbshme” për Partinë Laburiste.

“Ai po pranon përgjegjësinë dhe po thotë se duhet të ndryshojmë. Ai dëgjon atë që thonë njerëzit”, u shpreh ajo.

E pyetur nëse Starmer po e konsideron veten përgjegjës për performancën e dobët të partisë, Powell tha se kryeministri “po pranon absolutisht” se rezultatet zgjedhore janë një reflektim mbi qeverinë laburiste, si për ato që ka bërë, ashtu edhe për ato që nuk ka arritur të realizojë.

Sipas saj, shumë qytetarë ndihen “jashtëzakonisht të zhgënjyer dhe të frustruar”, ndaj partia duhet të dëgjojë mesazhin e votuesve dhe të përmirësojë ndjeshëm punën e saj.

Powell shtoi se Starmer e ka bërë të qartë se ka ende shumë punë për të bërë dhe se ai dëshiron të vazhdojë përpara.

Top Channel