63 objekte arsimore të rindërtuara pas tërmetit, përfundon programi i BE me vlerë 75 mln euro

09/05/2026 16:36

Rindërtimi dhe ristrukturimi i objekteve arsimore të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit 2019 nëpërmjet programit EU4Schools ka përfunduar.

Mbi 63 çerdhe, shkolla e gjimnaze nëpërmjet fondit të akorduar nga BE prej 75 milionë euro i cili u zbatua për 6 vite me radhë nga UNDP, Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, patën mundësi të përfitojnë nga ky program duke ofruar kushtet më cilësore për fëmijët dhe nxënësit, sigurinë dhe ambiente me pajisjet më të fundit.

Gjimnazi “Asim Vokshi” në Tiranë, çerdhja “Shtojzovallet” në Shijak, gjimnazi “Bernardina Qerraxhia” në Durrës, si dhe shkolla 9-vjeçare “Mehmet Babamusta” në Kavajë janë vetëm disa prej tyre për të cilët nxënës, drejtues të institucioneve arsimore si dhe prindër shprehen të kënaqur.

“Realisht, për mua një ndër arsyet më të forta që erdha këtu te Gjuhët e Huaja ishin pikërisht kushtet. Kur erdha për të parë shkollën në fillim, m’u duk shumë e bukur, e re, pashë që kishte kushte, pashë që kishte kondicioner, që për neve është gjëja më e rëndësishme dhe pastaj është edhe pjesa e stafit, mësuesit m’u duken shumë të mirë”, tha Emanuel Murati, president i senatit të shkollës “Asim Vokshi”.

“Është një shkollë e cila ka ndryshuar totalisht, totalisht në pamje, totalisht në mentalitet. Ku qëndron kjo? Në motivimin që kanë mësuesit, stafi mësimor, duke punuar në kushte akoma shumë herë më të mira, në ambiente të pastra, në ambiente të rregullta, nëpër laboratorë, kanë ngrohje, kanë ftohje, ujë, tualetet janë shumë të pastra, fëmijët vijnë me qejf, mësuesit po ashtu, pra është një ambient i sigurt”, tha Suela Guhaçaj, drejtoreshë e shkollës “Mehmet Babamusta”, Kavajë.

“Pastërtia është në maksimum, siguria është mjaft e madhe, kjo tregon kushtet shumë të përshtatshme, shumë bashkëkohore, tregon shumë për mirëqeninen e fëmijëve tanë që i sjellim cdo ditë në këtë kopësht, nuk kanë të krahasuar”, u shpreh një prind.

Programi nisi në vitin 2020 dhe pritet të përfundojë në qershor të këtij viti.

“Një projekt, i cili është bazuar në dy shtylla kryesore; ndërtojmë më mirë dhe ndërtojmë së bashku. Kjo do të thotë, ndërtesa të forta me standardet më të larta europiane ndërtojmë së bashku kemi përfshirë komunitetin e prindërve dhe të nxënësve”, tha Nora Kushti, eksperte komunikimi.

“Ajo që na bën neve më krenarë për këtë program, përveçse kemi ndërtuar më mirë dhe kemi ndërtuar së bashku, është fakti që ky program nuk ka qenë vetëm një porgram infrastrukture, por ka qenë edhe një program, i cili ka pasur komponentë të mësimnxënies dhe mësimdhënies, pra përmirësimit të shërbimeve arsimore”, tha Egla Gollaj, menaxhere e programit EU4Schools.

Nga ndërtimi dhe rikonstruksioni i këtyre institucioneve kanë përfituar afro 25 mijë nxënës dhe mësues.

Top Channel