Gjenden eksplozivë në bordin e dronit detar ukrainas, dyshohet se do të godiste anijen ruse/ Krizë diplomatike mes Greqisë dhe Ukrainës
Rezultatet e deritanishme dhe të pjesshme nga zgjedhjet lokale në Britani po dëshmojnë parashikimin se laburistët do të përjetonin një kasaphanë elektorale, dy vjet pas ardhjes në pushtet, të cilat nënkuptojnë fundin e drejtimit të vendit nga kryeministri aktual, Sir Keir Starmer.
Humbjet apokaliptike të laburistëve të qendrës së majtë, ku votuesit ia kanë besuar votën partisë populiste Reforma të Nigel Farage, ku mbizotëron një narrativë e spikatur anti-emigracion, mendohet se do t’i kushtojnë laburistëve rreth 2000 vende në pushtetin lokal në mbarë Britaninë dhe humbjen në parlamentin e Uellsit, madje kalimin si parti e tretë në Skoci pas nacionalistëve skocezë dhe populistëve të Reformës. Hemorragjia në mbështetjen për laburistët po raportohet në bastionet tradicionale në ish-rajonet industriale dhe në disa pjesë të Londrës, në bazë të të dhënave të pjesshme, pasi numërimi do të vazhdojë gjatë tërë të premtes, madje edhe në orët e para të së shtunës.
Kryeministri Starmer ka deklaruar se ai është përgjegjës për këtë rezultat dhe se “humbja të dhëmb, por nuk ma dobëson vendosmërinë time”, ndërkohë që vijnë vetëm rezultate shokuese për partinë e tij. Sakaq, Nigel Farage, fitues i dukshëm deri tani i këtyre zgjedhjeve, thotë: “Kemi të bëjmë me një ndryshim historik në politikën britanike”.
Kryeministri Starmer mendohet se do të vazhdojë të qëndrojë në Downing Street për një periudhë të paqartë kohore dhe mund të tentojë radikalizim të politikave të brendshme, por çështja është për sa kohë? Laburistët dhe konservatorët janë duke ecur mbrapsht, aq më tepër që pjesëmarrja në këto zgjedhje, ndryshe nga ato më parë, është më e lartë dhe momentalisht në shifrën e 43 për qind, ose 8 për qind më shumë se në 2022-shin. Ajo që do të jetë e rëndësishme në orët dhe ditët në vazhdim është të shihet sesi laburistët do të menaxhojnë humbjet në aspektin psikologjik.
Është tjetër gjë të imagjinosh se do të bësh ndërhyrje për pastrimin e kanalit të një dhëmballe dhe komplet tjetër gjë kur ulesh në karrigen e dentistit dhe e bën këtë ndërhyrje.
Top Channel