Von der Leyen telefonatë me Trump: Bëmë progres të kënaqshëm për ratifikimin e marrëveshjes tregtare BE-SHBA

08/05/2026 13:52

Pas një bisede telefonike me Presidentin e SHBA-së Donald Trump, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen njoftoi se ka “përparim të kënaqshëm” midis institucioneve evropiane drejt ratifikimit të marrëveshjes tregtare me SHBA-në deri në fillim të korrikut.

“Patëm një bisedë telefonike shumë të mirë me Presidentin Trump me të dyja palët të angazhuara për zbatimin e saj. Ka përparim të kënaqshëm drejt uljes së tarifave deri në fillim të korrikut”, tha Von der Leyen.

Nga ana e tij, Presidenti i SHBA-së D. Trump, pas një bisede telefonike me Presidenten e Komisionit, njoftoi se po i jep Bashkimit Evropian një afat deri më 4 korrik për të zbatuar marrëveshjen tregtare të arritur me Shtetet e Bashkuara.

Kujtohet se në fund të marsit, Parlamenti Evropian miratoi, me kushte, marrëveshjen tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe BE-së të përfunduar verën e kaluar në Skoci. Megjithatë, procedurat e brendshme të BE-së kërkojnë negociata midis Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së për të ratifikuar marrëveshjen tregtare me SHBA-në, përpara zbatimit të saj formal.

Natën e së mërkurës ndaj të enjtes, diskutimet e gjata midis dy institucioneve nuk rezultuan në një marrëveshje. Sipas Presidencës Qipriote të BE-së, “u regjistrua përparim në një numër çështjesh” dhe raundi tjetër i negociatave ishte planifikuar për 19 maj.

“Ne jemi plotësisht të përkushtuar për të vazhduar dialogun tonë konstruktiv me Parlamentin Evropian, me qëllim që të përfundojmë punën legjislative sa më shpejt të jetë e mundur”, siguroi Michael Damianos, Ministër i Energjisë, Tregtisë dhe Industrisë së Qipros.

Top Channel