“Premtova se nuk do të mallkoj më në publik”, Kamala Harris për luftën e Trump me Iranin: Janë thjesht budallallëqe

08/05/2026 08:55

Ish-zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, ka sulmuar ashpër presidentin amerikan Donald Trump për përshkallëzimin e konfliktit me Iranin.

Gjatë një aktiviteti të demokratëve në Las Vegas, Harris deklaroi se lufta me Iranin është e padëshiruar nga populli amerikan dhe nuk duhej të kishte nisur. “Kur e sheh këtë luftë në Iran, të cilën populli amerikan nuk e dëshiron dhe që nuk u autorizua nga Kongresi, janë thjesht budallallëqe”, tha ajo mes duartrokitjeve të mbështetësve. Më tej ajo shtoi: “Premtova se nuk do të mallkoj më në publik”.

Komentet e saj vijnë në një moment tensioni të lartë mes SHBA-së dhe Iranit, pasi Trump paralajmëroi Teheranin të nënshkruajë “shpejt” marrëveshjen e paqes pas incidenteve në Ngushticën e Hormuzit. Harris akuzoi gjithashtu Trump se po favorizon indirekt Rusinë përmes konfliktit në Lindjen e Mesme.

Shteti që fiton më shumë nga lufta me Iranin është Rusia. Për shkak të naftës dhe heqjes së sanksioneve, ata po fitojnë para duke shitur naftë. Ndërkohë, armët dhe municionet që mund të shkonin për Ukrainën po përdoren diku tjetër”, deklaroi ajo.

Më tej, ish-zëvendëspresidentja amerikane e cilësoi Trump si “të rrezikshëm”. “Nuk do ta quaj idiot. Ai është i rrezikshëm”, tha Harris.

Gjatë fjalës së saj, Harris komentoi edhe vendimin e fundit të Gjykatës Supreme për Aktin e të Drejtave të Votimit, duke paralajmëruar se ndryshimet mund të ndikojnë ndjeshëm në zgjedhjet e ardhshme në SHBA.

Sipas saj, republikanët po përpiqen ta bëjnë më të vështirë procesin e votimit për qytetarët amerikanë.

Top Channel