“Nuk është për të qeshur, është realiteti”/ Rama takon të rinjtë fitues të programit të startup-eve: Do të rrisim financimet, kushti është që ju të…

08/05/2026 19:15

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në takimin me vajzat dhe djemtë fitues të programit të startup-eve për vitin 2025 dhe aplikantëve për vitin 2026 në qytetin e Elbasanit.

Rama u shpreh se do të rriten investimet për këtë program me kusht që të ketë sa më shumë aplikime që mund të zhvillohen më tej.

“Ne sot mund ta themi lirisht atë që deri jo shumë kohë më parë ishte për të qeshur, që cilido dhe cilado ndër më të rinjtë në Shqipëri mund të punojnë në çdo vend të botës pa lëvizur nga shtëpia e tyre kudo qoftë ajo në Tiranë, në Elbasan apo në një fshat të largët, mjafton që të kenë një kompjuter dhe që të jenë të lidhur me internetin dhe jo vetëm kaq, por mund të punojnë pa lëvizur nga shtëpia e tyre dhe të paguhen shumë herë më mirë sesa çdo të paguheshin po të largoheshin nga vendi i tyre dhe të bënin një punë diku jashtë për dikë tjetër.

Sot nuk është më për të qeshur sepse është një realitet i cili zgjerohet me shpejtësi duke integruar në perimetrin e vetë gjithmonë e më shumë të reja dhe të rinj, sidomos të reja dhe të rinj falë faktit që teknologjia ju vë në dispozicion mjete të cilat të rejat dhe të rinjtë i kuptojnë edhe i zotërojnë shumë më shpejt sesa të tjerët.

Olta tha një shifër që është shumë domethënëse në këndvështrimin tonë, trefishimi i numrit të aplikantëve për programin “Startup Albania”, i cili ka nisur disa vite më parë dhe tanimë është një program i besueshëm dhe falë besueshmërisë, por falë dhe informacionit që është shpërndarë në këtë periudhë, ka tërhequr një interesim të madh dhe një numër aplikimesh që është një numër rekord 1219 aplikime për mbështetje financiare që shkon nga 15,000 euro në 45,000 euro dhe për projekte konsolidimi deri në 90,000 euro, të cilat nuk janë kredi, por janë grant që qeveria shqiptare ja vënë në dispozicion atyre që paraqiten me një ide interesante dhe me një potencial për të krijuar një zgjidhje që pastaj të krijojë një kompani të vogël dhe pastaj pse jo të gjenerojë një kompani të madhe.

Jemi sot në Elbasan dhe Elbasani ka edhe një potencial tjetër, ka shkollën e vet profesionale e cila ka rreth 1400 nxënës dhe që vetvetiu përbën një rezervuar jashtëzakonisht të konsiderueshëm për një qytet si Elbasani për të rritur krijesa të reja të botës së teknologjisë, për të rritur dhe për të kthyer në hapësira shërbimesh dhe punësimi, ide të cilat nëse nuk do të ishte forca e teknologjisë do të ishin thjesht utopira të pa kapshme me mjetet e rrugës tradicionale të zhvillimit. Ajo që teknologjia ka bërë është diçka që është e vështirë që ta kapim të tërën pavarësisht se teorikisht mund ta kuptojmë dhe mund ta përsërisim.

Teknologjia ka rritur në mënyrë eksponenciale shpejtësinë e zhvillimit nga epoka të tëra zhvillimi linear, bota sot ka kaluar në zhvillimin eksponencial, pra nga zhvillimi gradual, në një zhvillim që është pindarik edhe që është i pa perceptueshëm në shpejtësinë e tij.

Nëse ne do të ishim në epokën e zhvillimit linear do ta kishim shumë të vështirë që të parafytyronim transformime dhe rritje që mund t’i parafytyrojmë sot si një mundësi reale zhvillimi. Sepse nëse në zhvillimin linear prodhoheshin makinat e shtypshkrimit, të cilat fillimisht i merrnin ata që ishin më të pasur, flas shtetet, pastaj shkonin te ata që ishin më të varfër dhe kur te ata që ishin më të varfër vinte ajo gjeneratë e prodhimit, tek ata që ishin më të pasur kishte ardhur ndërkohë gjenerata tjetër e prodhimit, me teknologjinë nuk ka më një diferencë të tillë.

Me teknologjinë nuk ka më pikë rëndësie se çfarë statusi social ke, edhe jo vetëm se ku ndodhesh gjeografikisht, por edhe se çfarë mjetesh financiare ke. Nëse ke talentin dhe këmbënguljen e pastaj edhe shkëndijën e një ideje që bën diferencën, je aty për të bërë sukses. Natyrisht pjesa ku hyn nevoja për të pasur dikë pranë dhe në këtë rast është qeveria shqiptare, është pjesa e atij financimit fillestar për të zhvilluar hapat e para të idesë. Dhe këtu ne kemi nxjerrë një mësim nga kjo rritje e shpejtë e numrit të aplikimeve, që do të thotë që ne do të rrisim, për t’ju përgjigjur kësaj shpejtësie dhe volumin e financimit”, u shpreh Rama.

Top Channel