Droni ushtarak në ishullin e Lefkadës, autoritetet greke: Është prodhim ukrainas
Presidenti amerikan Donald Trump duket se po largohet gradualisht nga objektivat maksimaliste që shpalli në fillim të luftës me Iranin.
Ndërsa SHBA dhe Irani po diskutojnë mundësinë e një marrëveshjeje paraprake për armëpushim dhe programin bërthamor iranian, analistët vërejnë se shumë nga kërkesat fillestare të Trump nuk janë më pjesë e negociatave.
Sipas raportimeve, diskutimet aktuale fokusohen në një memorandum mirëkuptimi që do të hapte rrugën për negociata 30-ditore mbi programin bërthamor iranian. Marrëveshja do të përfshinte kufizime të përkohshme për pasurimin e uraniumit dhe lehtësim të disa sanksioneve ndaj Teheranit. Megjithatë, Trump kishte deklaruar vazhdimisht se objektivi i tij ishte që Irani “të mos ketë kurrë armë bërthamore”, shkruan CNN. Madje, vetëm pak ditë pas nisjes së luftës, ai kishte shkruar në rrjetet sociale: “Nuk do të ketë marrëveshje me Iranin përveç dorëzimit pa kushte”.
Një tjetër objektiv që duket se është lënë mënjanë është ndryshimi i regjimit në Iran.
Në fjalimin e tij pas nisjes së ofensivës ushtarake, Trump iu drejtua popullit iranian duke thënë: “Merrni qeverinë tuaj”, ndërsa i bëri thirrje qytetarëve të “çlirojnë të ardhmen e tyre”. Por aktualisht, ndryshimi i regjimit nuk përmendet më si pjesë e diskutimeve diplomatike.
Analiza vëren gjithashtu se një tjetër prioritet i administratës amerikane, ndalimi i mbështetjes iraniane për grupet aleate në Lindjen e Mesme si Hamasi dhe Hezbollah, nuk duket më në qendër të negociatave.
Në muajt e parë të konfliktit, Trump dhe zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë kishin deklaruar se një nga synimet kryesore ishte ndalimi i financimit dhe armatosjes së grupeve të mbështetura nga Irani në rajon.
Tashmë, fokusi duket të jetë zhvendosur kryesisht te çështja bërthamore dhe siguria e Ngushticës së Hormuzit. Ndërkohë, lufta dhe tensionet në Lindjen e Mesme kanë ndikuar edhe në popullaritetin e Trump, me sondazhet që tregojnë rënie të mbështetjes për presidentin amerikan.
Edhe brenda kampit mbështetës të administratës amerikane ka pasur kritika se objektivat fillestare të luftës po zbuten. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, u pyet së fundmi nga gazetarët për atë që u cilësua si “heqje dorë” nga kërkesat për dorëzim pa kushte dhe ndryshim regjimi në Iran.
Megjithatë, administrata amerikane vazhdon të këmbëngulë se objektivi kryesor mbetet parandalimi i Iranit për të zhvilluar armë bërthamore.
Top Channel