Vendimet e Bordit të Transparencës/ Bie sërish çmimi i naftës, ja sa do të shitet benzina
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, njëherësh dhe nën Kryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian deklaroi se Shqipëria ndodhet në një fazë vendimtare të procesit të integrimit europian dhe më pranë se kurrë anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në fjalën e tij, në mbledhjen periodike të KKIE Balla vlerësoi progresin e arritur në procesin e negociatave me BE-në, duke nënvizuar se hapja e të gjithë grupkapitujve brenda një periudhe të shkurtër kohore përfaqëson një arritje historike për vendin.
“Shqipëria nuk ka qenë kurrë më afër Europës sesa është sot. Nuk flitet për ngecje, nuk flitet për humbje drejtimi, pasiguri, flitet vetëm për avancim, ritëm, besueshmëri, për një Shqipëri që po hyn seriozisht në fazën përmbyllëse të rrugës europian. Secila palë duhet ta lexojë me përgjegjësi këtë proces. të gjithë bashkë duhet të punojë për ta jetësuar këtë aspiratë historike”, tha kreu i grupit parlamentar të PS.
Ai theksoi se mbështetja e gjerë e qytetarëve shqiptarë për integrimin europian është një dëshmi e qartë e orientimit strategjik të Shqipërisë dhe e konsensusit kombëtar për të ardhmen europiane të vendit.
Balla u ndal edhe te miratimi nga Komisioni për Punët e Jashtme i Parlamentit Europian i raportit për Shqipërinë 2025, duke e cilësuar atë si një sinjal të fortë mbështetjeje nga institucionet europiane për progresin e reformave dhe ritmin e negociatave.
Balla shtoi se integrimi nuk lidhet me qeverinë, por me aspiratën e përbashkët.
“Sot është e rëndësishme të nënvizojmë se integrimi europian nuk është pronë e një qeverie, por një aspiratë historike dhe objektiv strategjik i përbashkët”, tha Balla.
Në përfundim, Kryetari i Grupit Parlamentar të PS theksoi se objektivi për mbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027 duhet të mbetet një angazhim i përbashkët politik dhe institucional, duke bërë thirrje për ruajtjen e ritmit të reformave dhe bashkëpunim të gjerë në funksion të integrimit europian të Shqipërisë.
Top Channel