“Brukseli bekim dhe sfidë për Shqipërinë”, Rama për projektin e BE: Investim për rritjen e kapaciteteve të pushtetit vendor Nga mbledhja e Këshilli Kombëtar të Integrimit Europian ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja, Majlinda Dhuka vlerësoi progresin e arritur nga institucionet shqiptare, duke përmendur Kuvendin, qeverinë dhe institucionet e drejtësisë, përfshirë SPAK, GJKKO, Prokurorinë e Përgjithshme, gjykatat dhe këshillat e sistemit të drejtësisë, për forcimin e shtetit të së drejtës dhe avancimin e reformave.
“Shqipëria ka hyrë tashmë në një fazë më të avancuar dhe më kërkuese, që lidhet me përgatitjet teknike, ekonomike dhe shoqërore për transformimin europian dhe mbylljen e negociatave për 33 kapitujt e anëtarësimit. Kjo është faza ku Shqipëria duhet të provojë se jo vetëm negocion për t’u bërë anëtare e BE-së, por po ndërton çdo ditë standardin e një shteti europian. Sfida e radhës për Shqipërinë mbetet mbyllja e kapitujve të negociatave me dinjitet, cilësi dhe rezultate të pakthyeshme, duke e afruar vendin drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian”, shprehet Majlinda Dhuka.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, njëherësh dhe nën Kryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian tha dokumenti i Komisionit të Politikës së Jashtme bën të qartë se Shqipëria ka ruajtur një orientim të qartë dhe të qëndrueshëm strategjik drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Ky tekst mirëpret ambicien e Shqipërisë për të mbyllur negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027 dhe njeh progresin e shpejtë të bërë në vitet e fundit. Kjo ka rëndësi të veçantë, sepse objektivi ynë nuk trajtohet më si një dëshirë politike abstrakte, por si një synim realist, i mbështetur mbi ecuri konkrete dhe mbi një ritëm reformash që po jep rezultat. Pra, sot kemi hyrë në një fazë të re. Shqipëria nuk po matet më me premtime. Po matet me fakte. Nuk po gjykohet më nga pritshmëritë. Po gjykohet nga puna e bërë. Dhe puna e bërë po njihet”, deklaroi Taulant Balla.
Edhe në këtë dimension, theksoi Taulant Balla ajo që vjen nga Brukseli është e qartë: Shqipëria nuk po ndjek thjesht një axhendë negociatash. Shqipëria po ndërton standarde të reja, po reformon shtetin dhe po forcon themelet e saj europiane.
Top Channel