Deputetët e PD me maska dhe përballje frontale, çfarë nuk u pa në protestën e tetë të opozitës
Nuk ka kaluar pa pasoja kjo protestë e sotme e thirrur nga opozita. Gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, raporton se tre efektivë kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar në spital për mjekim.
Pas një nisjeje të qetë të protestës, organizatorët kërkuan marshim drejt Ministrisë së Brendshme, diçka që policia e kundërshtoi me vendosjen e një kordoni të gjerë efektivësh dhe hedhjen e ujit dhe gazit lotsjellës.
Në këtë moment u ngjall një reagim i ashpër i protestuesve, që fillimisht goditën me molotov e më pas me fishekzjarrë dhe gurë drejt policisë. Në këtë moment duket se janë lënduar edhe efektivët.
Tre punonjësit e policisë të Forcës Kombëtare të Sigurisë, të cilët u dërguan për mjekim në Spitalin Ushtarak, janë jashtë rrezikut për jetën. Sakaq, mësohet se disa protestues janë shoqëruar në polici, si përgjegjës për veprimet e dhunshme ndaj efektivëve të rendit.
Po ashtu në spital është transportuar edhe një protestues, të cilin ambulanca e mori në selinë e PD pas mbylljes së protestës.
Top Channel