Fundjava me diell dhe shi, temperaturat arrijnë deri në 26 gradë Celsius. Parashikimi i motit për fundjavën

08/05/2026 12:36

Vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme gjatë ditëve në vijim.

Elvi Jahaj, sinoptikan i Shërbimit Meteorologjik Ushtarak në një lidhje live për edicionin e lajmeve në Top Channel tha se moti do të karakterizohet nga vranësira të shpeshta të shoqëruara me reshje shiu, ndërsa në disa zona priten edhe rrebeshe e shtrëngata.

Gjatë fundjavës, moti mbetet i paqëndrueshëm. Të shtunën parashikohen alternime kthjellimesh dhe vranësirash, ndërsa pjesa e parë e ditës do të shoqërohet me reshje shiu. Ndërkohë, të dielën moti pritet të jetë më i qëndrueshëm, me kthjellime dhe vranësira kalimtare.

Edhe fillimi i javës së ardhshme do të sjellë intervale me diell, por nuk do të mungojnë vranësirat e dendura dhe reshjet e shiut në pjesën më të madhe të territorit.

Temperaturat gjatë fundjavës do të arrijnë deri në 26 gradë Celsius, ndërsa javën e ardhshme pritet të ngjiten deri në 29-30 gradë.

Ndërkohë, era do të fryjë me intensitet, duke arritur shpejtësi deri në 22 metra për sekondë.

Top Channel