“Arsim në vend të bombave”/ Protesta masive në Gjermani, studentët dalin kundër rikthimit të mundshëm të shërbimit të detyrueshëm ushtarak

08/05/2026 20:26

Dhjetëra mijëra studentë dolën sot në rrugët e qyteteve gjermane për të protestuar kundër rikthimit të mundshëm të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

“Arsim në vend të bombave” dhe “Berlini në vend të vijës së frontit” ishin disa nga sloganet e shkruara në pankartat e protestuesve.

Tubime dhe marshime proteste u mbajtën në dhjetëra qytete nën sloganin qendror “Grevë shkollore kundër shërbimit të detyrueshëm ushtarak”, në përvjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Evropë.

Policia e Berlinit tha se rreth 1,200 protestues marshuan nga Porta e Brandenburgut drejt selisë së Partisë Kristian Demokratike (CDU) të kancelarit Friedrich Merz, duke mbajtur pankarta me mesazhe si “Arsim në vend të bombave” dhe “Berlin në vend të vijës së frontit”. Organizatorët thanë se numri i pjesëmarrësve ishte rreth 5,000.

Në Hamburg, organizatorët raportuan rreth 6,000 pjesëmarrës, ndërsa policia vlerësoi shifrën në rreth 2,300.

Këto protesta nuk janë të parat mbarëkombëtare kundër shërbimit ushtarak. Në fillim të marsit, rreth 50,000 studentë protestuan në 150 qytete gjermane kundër rekrutimit në çdo formë.

Në sfondin e luftës në Ukrainë dhe objektivave të reja të NATO-s, qeveria gjermane ka ndryshuar ligjin për shërbimin ushtarak, i cili vitet e fundit ka qenë vullnetar, me zbatime të reja që hyjnë në fuqi nga 1 janari 2026. Sipas ndryshimeve, të rinjtë që arrijnë moshën madhore do të plotësojnë një pyetësor dhe mund t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjekësore, me qëllim përgatitjen e listave të personave të përshtatshëm për shërbim.

Ministria e Mbrojtjes synon rritjen e numrit të ushtarëve me 60 deri në 80 mijë deri në vitin 2035.

Top Channel