Shivon Zilis dëshmon në gjyqin ndaj OpenAI/ Si lindi marrëdhënia personale me Elon Musk, katër fëmijët dhe prapaskenat e konfliktit me Altman

07/05/2026 08:27

Një dëshmi e gjatë në një gjykatë federale në Oakland të Kalifornisë ka sjellë në qendër të vëmendjes marrëdhëniet personale dhe profesionale të Shivon Zilis me Elon Musk, në kuadër të padisë së kësaj të fundit ndaj OpenAI për ndryshimin e strukturës së saj në një kompani fitimprurëse.

Shivon Zilis, e cila ka shërbyer si këshilltare dhe më pas anëtare bordi në OpenAI, tregoi gjatë dëshmisë se marrëdhënia e saj me Elon Musk ka pasur një zhvillim kompleks, duke nisur nga bashkëpunimi profesional në Silicon Valley deri te një lidhje personale që çoi në lindjen e katër fëmijëve të tyre. Sipas saj, gjithçka nisi rreth vitit 2020, kur Musk i ofroi të bëhej dhurues i spermës, në një periudhë kur ajo kishte shprehur dëshirën për të qenë nënë. Zilis deklaroi se në atë kohë nuk ishte në një marrëdhënie romantike me Musk, por e pranoi ofertën pas një bisede mes tyre. Ajo shtoi se më herët kishte pasur një lidhje të shkurtër me të rreth një dekade më parë.

Zilis tha se fillimisht ishte rënë dakord që atësia e Musk të mbahej konfidenciale dhe se roli i tij në jetën e fëmijëve të parë nuk ishte menduar si aktiv. Megjithatë, ajo shtoi se sot Musk është i përfshirë në mënyrë të rregullt në jetën e katër fëmijëve të tyre, duke kaluar kohë me ta çdo javë.
Dëshmia e saj u fokusua gjithashtu në rolin që ajo ka pasur brenda OpenAI dhe komunikimet me drejtuesit kryesorë të kompanisë, përfshirë CEO-n Sam Altman dhe presidentin Greg Brockman. Sipas avokatëve të OpenAI, Zilis ka qenë e përfshirë në diskutime të brendshme mbi strukturën e kompanisë edhe pas largimit të Musk nga organizata.

Në gjykatë u prezantuan gjithashtu emaile dhe mesazhe që tregonin për debatet e brendshme mbi transformimin e OpenAI nga një organizatë jofitimprurëse në një strukturë më të hapur ndaj investimeve, një proces që sipas palëve ishte thelbësor për rritjen e kompanisë dhe sigurimin e financimit miliarda dollarësh.

Musk, i cili ka paditur OpenAI duke kërkuar dëmshpërblim të madh financiar dhe ndryshim të strukturës së saj, ka pretenduar se kompania ka devijuar nga misioni fillestar jofitimprurës. Ai gjithashtu është përfshirë në krijimin e kompanisë rivale të inteligjencës artificiale xAI. Dëshmia e Zilis pritet të jetë një nga elementët kyç të procesit gjyqësor që po shqyrton jo vetëm të ardhmen e OpenAI, por edhe marrëdhëniet e tensionuara mes themeluesve dhe investitorëve të hershëm të saj.

Top Channel