PD kërkoi të diskutohej në Kuvend për raportin e Parlamentit Europian, Balla: Mos u bëni qesharakë, PE nuk e ka miratuar ende

07/05/2026 10:53

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar në Kuvend lidhur me kërkesat e opozitës për debat mbi projekt-rezolutën e Parlamentit Europian për Shqipërinë, duke i cilësuar ato si të nxituara dhe jashtë praktikës institucionale.

Balla u shpreh se dokumenti pasqyron progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, teksa shtoi se do të diskutohet javën në vjen në rend dite.

“Shumë faleminderit dhe mirënjohje të 55 eurodeputetëve anëtarë të Komisionit të Politikës së Jashtme në Parlamentin Evropian për këtë projekt-rezolutë, e cila reflekton qartazi përparimin dhe progresin e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, e cila dëshmon qartazi arritjet e Shqipërisë përgjatë këtij viti kur raportohet, se ju kam dëgjuar shpesh, por të paktën dokumentave referojuni siç janë.

Kjo është një projekt-rezolutë e Parlamentit Evropian mbi raportin e Komisionit Evropian për vitin 2025. Tani që të mos bëhemi edhe qesharakë brenda këtij minutazhi, tani Parlamenti Evropian këtë dokumentin do ta miratojë vetë në 16 ose 17 qershor, sepse e ka miratuar Komisioni dhe do ta miratojë seanca plenare, se prandaj quhet projekt.

Tani na kërkohet që ta bëjmë ne diskutimin përpara se ta miratojë Parlamenti Evropian. Tani mos na bëni qesharakë, ne jemi shumë të gatshëm, kur ta doni ju, kur ta doni ju, por ne e kemi programuar javën tjetër me 14 maj, kemi diskutimin e raportit të Komisionit dhe raportin vjetor që përgatit Shqipëria, javën tjetër.

Tani kjo historia për me marrë këtë dy minutëshin këtu, me bërë lajmin, me thënë që ne kërkuam një diskutim për raportin që është projekt-rezoluta e Komitetit të Politikës së Jashtme, kjo nuk shkon.

E para na bën qesharakë se ne do presim ta miratojë Parlamenti Evropian dhe besoj, besoj që do jemi dhe një delegacion nga ne në seancën plenare të Parlamentit Evropian në 16-17, siç ka qenë edhe një praktikë, dhe ndërkohë në 7-8 korrik, a 8-9 korrik, kemi dhe Komitetin Parlamentar të Stabilizimit e Asocimit, ku natyrshëm bashkë me kolegët e Parlamentit Evropian do ta diskutojmë dhe këtë dokument.

Por, për shqiptarët, projekt-rezoluta, e kaluar me 55 vota pro, 7 kundër, 7 abstenim të martën…po kur t’i shohësh, rëndësi ka që të ruajmë edhe seriozitetin institucional dhe serioziteti institucional është: e mirëpresim diskutimin sapo ky dokument të miratohet, sepse e kërkon edhe një lloj praktike institucionale mes institucioneve. Kështu që kryetar, javën tjetër e kemi debatin për raportin”, tha Balla.

Më pas fjalën në Kuvend e mori deputetja demokrate Jorida Tabaku, e cila u shpreh se opozita e konsideron integrimin, procesin e vetëm të ndryshimit të vendit.

“Unë shpresoj që qeveria ta përdorë për të reflektuar, kush ka qenë pengesa. Më mirë se kaq ata nuk bëjnë dot, siç e thotë raporti, vendimet e tyre janë pengesa. Por të paktën qytetarët shqiptarë kanë nevojë për transparencë. Opozita është këtu, është gati të japë kontributin e vet, e bën këtë për Shqipërinë dhe shqiptarët, e beson procesin e integrimit  si të vetmin proces që e ndryshon vendin. Unë shpresoj shumë që të reflektoni, se sa herë që ngrini kartonin kundër, e ngrini kundër procesit të integrimit”, tha Tabaku.

Top Channel