Marco Rubio në Vatikan, takim me Papën për “të qetësuar gjakrat” me Donald Trump

07/05/2026 12:52

Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, takohet sot në Vatikan me Leonin e XIV në një përpjekje për të zbutur tensionet pas kritikave të përsëritura të Donald Trump ndaj papës së parë amerikan.

Trump e akuzoi më herët Papën “për mbështetje të armatuimit bërthamor” dhe se po vendos në rrezik shumë katolikëve me qëndrimin e tij kundër luftës në Iran. Kreu i diplomacisë amerikane u përpoq ta minimizonte krisjen e raporteve mes Trump dhe Papës Leoni, e tha për gazetarët përpara nisjes se kritikat e fundit të presidentit lidhen thjesht me kundërshtimin e mundësisë që Irani të zotërojë armë atomike.

E vërteta, shkruan “The Guardian”, është se marrëdhëniet midis Vatikanit dhe Uashingtonit nuk kanë qenë kurrë kaq të tensionuara. Në muajin prill, Trump iu kthye ashpër Papës duke e quajtur “të dobët përballë krimit” dhe “të tmerrshëm në politikën e jashtme”. Ai madje doli me pretendimin se Leoni u zgjodh vetëm sepse Trump vetë ndodhej në Shtëpinë e Bardhë. Më vonë, shpërndau një imazh të krijuar nga inteligjenca artificiale ku e paraqiste veten si Krishtin, të cilën më pas e fshiu.

Qëllimi i mundshëm i Rubios është të përpiqet të qetësojë situatën e Trump dhe të riparojë marrëdhëniet e cenuara mes SHBA-së dhe Vatikanit, por edhe ato me ekzekutivin italian në Romë.

 

Top Channel