Kosova në zgjedhje të parakohshme, BE thirrje për formim të shpejtë të institucioneve: Duhet kompromis politik për Presidentin

07/05/2026 22:49

Ushtruesja e detyrës së Shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, ka bërë thirrje për formim të shpejtë të institucioneve pas zgjedhjeve të 7 qershorit, duke theksuar nevojën për kompromis politik ndërmjet partive për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Palatova tha se Bashkimi Evropian pret që Kosova të krijojë një qeveri stabile dhe me shumicë të fuqishme parlamentare, në mënyrë që të vazhdojë zbatimi i reformave në kuadër të agjendës evropiane.

“Duhet të shohim një formim të shpejtë të institucioneve, me një qeveri që ka shumicë të fortë në Kuvend, që ka aftësi të gjenerojë kompromise të shëndetshme ndërpartiake për të zgjedhur presidentin dhe të vazhdojë me reformat”, deklaroi ajo.

Sipas saj, një stabilitet i tillë institucional është i rëndësishëm jo vetëm për funksionimin e brendshëm të vendit, por edhe për avancimin e proceseve integruese drejt Bashkimit Evropian.

Palatova vuri theks edhe te karakteri shumetnik i Kosovës, duke e cilësuar atë si një vlerë të rëndësishme për shtetet anëtare të BE-së.

“Karakteri shumetnik i Kosovës është me vlerë të madhe për të gjitha shtetet tona anëtare. Të gjitha kryeqytetet tona vëzhgojnë ruajtjen e tij, angazhimin konstruktiv me të gjitha komunitetet shumicë, në mënyrë që të gjithë kosovarët, pavarësisht përkatësisë etnike, të ndiejnë se kanë një shtëpi dhe perspektivë këtu”, tha ajo.

Deklaratat e saj vijnë në një periudhë kur skena politike në Kosovë po hyn në fazën përfundimtare të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit, ndërsa çështja e krijimit të shumicës parlamentare dhe zgjedhjes së presidentit po konsiderohet një nga sfidat kryesore politike pas procesit zgjedhor.

Top Channel