56 studentë me helmim ushqimi/ AKU kontrolle në Akademinë e Policisë dhe në vendin e prodhimit të ushqimit, merren analizat e produkteve të konsumit
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka reaguar në lidhje me helmimin e 56 studentëve të Akademisë së Policisë.
Sipas tyre janë kryer verifikimet përkatëse në subjektin SORI-AL, i cili ushtron veprimtarinë e catering-ut pranë këtij institucioni, ushqim që vjen i gatshëm prodhuar në ambientet e garnizonit “Skërnderbej” pranë Akademisë së Forcave të Armatosura Tiranë.
Sipas kontrollit të ushtruar të ambientet e kuzhinës së vendosur brenda ambienteve të Akademisë së Sigurisë, u konstatua se subjekti ushtron aktivitetin në kushte higjieno-sanitare të përshtatshme.
AKU njofton nga verifikimi në moment kontrolli rezulton që në këtë ambient nuk kryhet proces gatimi, produktet vinin të gatshme catering nga subjekti SORI-AL, prodhuar në ambientet e kuzhinës së “Garnizoni Skënderbej”, Tiranë.
Më konkretisht në moment kontrolli u konstatua pilaf, makarona, fasule, sallam dhe kos i hapur gati për shërbim, nga të cilat u bllokuan 85.9. kg produkt dhe u mor mostër për analizim mikrobiologjik, që u dërguan pranë laboratorit të ISUV.
Për mungesë të një sistemi funksional dhe të plotë gjurmimi ndaj subjektit u vendos masë administrative me gjobë në vlerën e 100 mijë lekëve.
Në vijim të ndjekjes së gjurmueshmërisë u krye kontroll edhe në ambientet e subjektit SORI-Al me adresë “Garnizoni Skënderbej” pranë Akademisë së Forcave të Armatosura, ku u konstatua se OBU nuk u gjet në proces pune pasi prodhimi kryhet në orare të caktuara.
Në subjekt nuk u konstatua produkt i gatshëm për konsum, pasi produktet e prodhuara shpërndahen menjëherë tek pikat kontraktuese.
Për qëllim të inspektimit në subjekt janë marrë mostra për produktet e konstatuara dhe më konkretisht djathë i bardhë lope, kos lope, vezë, sallam për analizim të ngarkesave mikrobiologjike të cilat u dërguan pranë laboratorit të ISUV.
U bllokua sasia gjendje prej 67.3 kg produkte,1350 kokrra vezë, dhe ndaj subjektit u vendos masa administrative me gjobë për mungesë të sistemit të plotë të gjurmueshmërisë në vlerën e 100 mijë lekëve.
Top Channel