“E dhimbshme të shohësh që Shqipëria nuk siguron asnjë gramë naftë”/ Karakaçi i përgjigjet Bozdos: Nuk ka mungesë në furnizim, s’jemi të rrezikuar

07/05/2026 12:49

Deputeti i PD-së, Eno Bozdo, u shpreh këtë të enjte në seancën plenare, se Shqipëria, edhe pse e ka detyrim ligjor, nuk siguron dot asnjë gram naftë.

Në një interpelancë me ministrin e Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, deputeti i PD u shpreh se e rëndësishme është që të mos kishte mungesë rezervash.

“Është e dhimbshme të shohësh që Shqipëria, edhe pse ka një detyrim ligjor, nuk siguron sot asnjë gram naftë, jo më të mendosh që ta kemi të disponueshme në 90 ditë import, siç kërkon edhe ligji dhe direktiva e BE-së. Aq më tepër të mendosh që do të na vijë një kërkesë nga institucionet përkatëse, për ta liruar këtë rezervë. Shqipëria sot zotëron vetëm fjalë dhe është me duart lartë përballë një krize që nuk varet nga ne. E rëndësishme është që ne të kishim rezervat këtu, që t’i menaxhonim në mënyrën më të mirë të mundshme. Por ky projektligj, kurdo të miratohet, nuk ka për të zgjidhur absolutisht asgjë”, tha ndër të tjera Bozdo.

Karakaçi iu përgjigj se rezerva e sigurisë së hidrokarbureve përdoret vetëm kur ka mungesë së produktit dhe mungesë së furnizimit me naftë, që sipas tij, Shqipëria nuk rrezikohet në këtë pjesë.

“Besoj se është një gjë shumë e mirë kur shqetësimet e opozitës dhe qeverisë konvergojnë në një pikë. Kështu kemi dhe mundësinë të kontribuojmë në bashkë për kriza të ndryshme. Për fat të keq, në këto 7 vitet e fundit, vendi është përballur me kriza të ndryshme botërore, që kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë botërore, por edhe të vendit tonë. Për fatin e mirë, qeveria shqiptare ka arritur t’i menaxhojë më së miri këto kriza, duke mos lejuar që barra e tyre të mos bjerë mbi qytetarët. Kujtoj pandeminë e Covid-19, që ishte një test i fortë për kapacitetet shtetërore. Rezerva e hidrokarbureve nuk menaxhohet më nga shoqëritë tregtare, por nga agjencitë shtetërore. Rezerva e sigurisë së hidrokarbureve është e implementueshme kur ka mungesë produkti në treg. Aktualisht, qeveria siguron se nuk ka pasur mungesa në furnizim dhe vendi ynë nuk është i rrezikuar për ndërprerjen e naftës. Rezerva e hidrokarbureve përdoret vetëm kur ka mungesë të produktit në treg”, u shpreh Karakaçi.

Top Channel