‘Dita e Fitores’ në Rusi/ Parada në Sheshin e Kuq pa tanke dhe raketa balistike, eksperti: Tregues se lufta me Ukrainën nuk po shkon sipas planeve të Kremlinit

07/05/2026 20:31

Një fjalë dominon sot Sheshin e Kuq në Moskë: “Fitore”.

Fjala “Pobeda” shfaqet në pankarta gjigante të kuqe, në ekranet elektronike dhe në instalacione artistike ku qytetarët ndalojnë për të bërë fotografi. Ndërkohë, ushtarët po zhvillojnë provat për paradën tradicionale të 9 Majit, që shënon fitoren e Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Nën drejtimin e Vladimir Putinit, ideja kombëtare e Rusisë është ndërtuar fort mbi kujtesën e kësaj fitoreje historike. Për Kremlinin, Dita e Fitores është kthyer në festën më të rëndësishme shtetërore.

Por këtë vit parada do të jetë ndryshe.

Për herë të parë në gati dy dekada, në Sheshin e Kuq nuk do të ekspozohen tanke, raketa balistike apo mjete të tjera të rënda ushtarake. Në paradë do të marrin pjesë vetëm trupat ushtarake.

Sipas analistit Steve Rosenberg, mungesa e pajisjeve ushtarake është një tregues i qartë se lufta në Ukrainë nuk po zhvillohet sipas planeve të Kremlinit.

“Tanket tona janë të zëna tani. Ato po luftojnë. Ne kemi më shumë nevojë për to në fushën e betejës sesa në Sheshin e Kuq”, deklaroi deputeti rus Yevgeny Popov.

Kur u pyet nëse zvogëlimi i paradës mund të perceptohej si një shenjë dobësie pas më shumë se katër vitesh lufte në Ukrainë, Popov fajësoi Perëndimin.

Sheshi i Kuq në Rusi

“Çfarë zgjedhjeje tjetër kemi? Vendet e NATO-s, Ukraina dhe armët britanike po na kërcënojnë”, u shpreh ai.

Ndërkohë, lufta po ndihet gjithnjë e më shumë edhe brenda territorit rus.

Së fundmi, sulmet me dronë ukrainas kanë goditur disa rajone ruse. Një sulm në qytetin Cheboksary la dy të vdekur dhe dhjetëra të plagosur, ndërsa një dron arriti të godiste një ndërtesë banimi pranë Kremlinit, duke shkaktuar dëme materiale.

Autoritetet ruse kanë përdorur kërcënimin nga dronët për të justifikuar reduktimin e paradës së këtij viti. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, foli për një “kërcënim terrorist” nga Ukraina, ndërsa Ministria ruse e Mbrojtjes paralajmëroi për një “kundërpërgjigje masive” nëse Moska sulmohet më 9 maj.

Edhe qytetarët rusë duket se e kuptojnë simbolikën e mungesës së tankeve në paradë.

“Parakalimi i pajisjeve ushtarake tregon forcën tonë në skenën botërore. Ndoshta duhet të shfaqnim diçka”, tha një qytetar i quajtur Sergei.

Një tjetër banore, Julia, u shpreh: “Nga njëra anë e kuptoj për arsye sigurie, por nga ana tjetër kjo tregon se kemi frikë. Dhe as kjo nuk është mirë.”

Sipas Rosenberg, një paradë e reduktuar është simbol i një lufte që nuk ka sjellë ende fitoren e premtuar nga Kremlini. Konflikti në Ukrainë tashmë ka zgjatur më shumë sesa Lufta e Madhe Patriotike e Bashkimit Sovjetik kundër Gjermanisë naziste.

Ndërkohë, në Rusi po shtohen shenjat e lodhjes nga lufta. Sondazhet tregojnë rënie të mbështetjes për Vladimir Putinin, ndërsa qytetarët ankohen gjithnjë e më shumë për koston e jetesës dhe kufizimet e internetit.

Autoritetet kanë paralajmëruar ndërprerje të internetit celular gjatë festimeve të Ditës së Fitores, me argumentin e sigurisë kombëtare. Masat janë pritur me pakënaqësi nga qytetarët.

“Do të ishte më mirë të mbeteshim pa internet sesa të vriteshim nga një raketë ose dron ukrainas”, deklaroi deputeti Popov.

Megjithatë, pavarësisht ceremonive patriotike dhe retorikës zyrtare, pas më shumë se katër vitesh luftë, fitorja që Kremlini premtoi vazhdon të duket e largët.

Top Channel