Analiza e CIA-s/ Administrata Trump nënvlerësoi aftësitë e Iranit, mund t’i rezistojë bllokadës detare për muaj të tërë

07/05/2026 21:09

Pavarësisht goditjeve të rënda ndaj marinës iraniane dhe dobësimit të infrastrukturës ushtarake të vendit, Irani vijon të ruajë një arsenal të konsiderueshëm raketash balistike dhe dronësh.

Kështu thuhet në një analizë të CIA-s, agjencia kryesore e inteligjencës së jashtme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cituar nga Washington Post.

Sipas raportit, agjencia amerikane e inteligjencës vlerëson se Irani mund t’i rezistojë një bllokade detare amerikane për të paktën tre deri në katër muaj përpara se të përballet me pasoja serioze ekonomike.

Analiza hedh dyshime mbi deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka pretenduar se kapacitetet ushtarake të Iranit janë shkatërruar pothuajse plotësisht.

Sipas zyrtarëve amerikanë të njohur me raportin, Teherani vazhdon të zotërojë rreth 75% të lëshuesve mobilë të raketave dhe afro 70% të arsenalit të raketave balistike që kishte para nisjes së konfliktit.

Ndërkohë, Trump ka deklaruar se Iranit i kanë mbetur vetëm 18%-19% e raketave që zotëronte para luftës.

Megjithatë, analiza e CIA-s paraqet një tablo më të kujdesshme. Sipas saj, Irani ka arritur të rikthejë në funksion depot nëntokësore të armëve dhe të riparojë një pjesë të raketave të dëmtuara gjatë sulmeve.

Raporti paralajmëron se aftësia e Iranit për t’i bërë ballë presionit ekonomik dhe për të ruajtur kapacitetet ushtarake mund të jetë më e madhe nga sa mendojnë SHBA-të.

Gjithashtu, dokumenti thekson se regjimi iranian duket i vendosur për ta zgjatur konfliktin, pavarësisht humbjeve ushtarake.

Sipas analizës, sukseset taktike të SHBA-së dhe Izraelit mund të mos përkthehen domosdoshmërisht në fitore strategjike, pasi ekziston mundësia që Irani të dalë nga konflikti më i konsoliduar dhe të ruajë aftësinë për të vazhduar programin e pasurimit të uraniumit.

Top Channel