Ambasada ruse sulmon Berlinin për ndalimin e simboleve sovjetike më 8–9 maj, Gjermania mbron masat e sigurisë për Ditën e Fitores

07/05/2026 09:01

Ambasada ruse në Gjermani ka kritikuar ashpër autoritetet e Berlinit, duke i akuzuar për “irracionalitet” dhe “cinizëm”, pasi këto të fundit kanë vendosur ndalimin e shfaqjes së flamurit të BRSS-së dhe simboleve të tjera ruse gjatë datave 8 dhe 9 maj, kur përkujtohet fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Sipas një deklarate të policisë së Berlinit të datës 22 prill, në zona të caktuara të kryeqytetit gjerman ndalohet përdorimi i uniformave, flamujve, simboleve apo paradave ushtarake që lidhen me Rusinë dhe ish-Bashkimin Sovjetik.

Ambasada ruse, në një reagim të publikuar në platformën X, e ka cilësuar këtë vendim si një masë që synon “privimin e pasardhësve të ushtarëve sovjetikë çlirimtarë, qytetarëve të rekrutuar dhe vizitorëve në Berlin nga e drejta për të nderuar me dinjitet përvjetorin e disfatës së nazizmit”. Sipas autoriteteve gjermane, ndalimet lidhen kryesisht me monumentet sovjetike në Treptow, Tiergarten dhe pyllin Schönholz, ku pritet prani e madhe njerëzish gjatë përkujtimoreve.

Policia e Berlinit ka deklaruar se pret grumbullime të mëdha dhe ekziston rreziku për incidente apo përplasje mes grupeve me qëndrime të ndryshme politike. Sipas saj, masat janë në vijimësi të atyre të aplikuara edhe në vitet e mëparshme pas nisjes së luftës në Ukrainë. Në reagimin e saj, ambasada ruse kërkoi gjithashtu heqjen e ndalimeve dhe njohjen zyrtare të krimeve naziste si “gjenocid kundër popujve të Bashkimit Sovjetik”.
Ndërkohë, në fund të deklaratës, theksohet se Gjermania është aktualisht kreditori më i madh i Ukrainës, ndërsa autoritetet gjermane po raportojnë gjithnjë e më shpesh raste të dyshuara sabotimi dhe spiunazhi që i atribuohen Kremlinit.

Top Channel