SHBA mbyll konsullatën në Peshawar, rriten shqetësimet e sigurisë në Pakistan

06/05/2026 09:03

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar mbylljen e konsullatës së tyre në Peshawar të Pakistanit, duke përmendur shqetësime për sigurinë e stafit diplomatik.

Vendimi u bë i ditur nga Departamenti i Shtetit, i cili theksoi se ambasada amerikane në Islamabad do të marrë përsipër të gjitha marrëdhëniet diplomatike me provincën Khyber Pakhtunkhwa, me kryeqytet Peshawarin.
“Ky vendim pasqyron angazhimin tonë për sigurinë e personelit diplomatik dhe menaxhimin efektiv të burimeve”, thuhet në deklaratën zyrtare, sipas agjencisë Reuters.
Provinca kufizohet me Afganistanin dhe prej kohësh është përfshirë nga sulme dhe përleshje të përsëritura mes forcave pakistaneze dhe militantëve, të cilat Islamabadi i lidh me mbështetje nga territori afgan.
Reuters kujton gjithashtu se në mars dhjetë persona u vranë pasi protestuesit sulmuan kompleksin e jashtëm të konsullatës amerikane në Karaçi, në një tjetër incident të lidhur me tensionet në rritje në vend.

Top Channel