Berisha në Krujë me demokratët, përkujton Skënderbeun dhe sulmon qeverinë: Rama është Hamzai
Demokrati Eno Bozdo ka deklaruar se mazhoranca ka rrëzuar propozimin e Partisë Demokratike për uljen e çmimit të naftës.
Në një komunikim për mediat, Bozdo u shpreh se të gjitha masat e propozuara u hodhën poshtë në komisionet parlamentare me votat e deputetëve socialistë, teksa shton se e konsideron një surprizë vendimin.
“Ata rrëzuan propozimet për uljen e çmimit të naftës përmes reduktimit të taksës së qarkullimit dhe taksave të tjera, për uljen e akcizës mbi naftën dhe dieselin, si dhe për zerimin e akcizës së gazit për industrinë prodhuese “Made in Albania”. Të gjitha këto masa u hodhën poshtë në komisionet parlamentare me votat e deputetëve socialistë.
E theksoj qartë: nuk ka asnjë surprizë në këtë qëndrim. Por ajo që qytetarët duhet të dinë është çfarë humbën nga ky refuzim:
Litri i naftës sot do të ishte të paktën 350 lekë të vjetra më i lirë. Me fjalë të thjeshta: për çdo 10 litra, qytetarët do të kursenin rreth 3500 lekë të vjetra, ose do të merrnin rreth 3 litra më shumë karburant;
Gazi industrial për prodhimin vendas do të kushtonte zero lekë për kg, nga 125 lekë/kg që kushton sot;
Çdo familje shqiptare do të kursente mesatarisht rreth 70 euro në muaj;
Fermerët do të kishin mundësi reale të punonin tokën e tyre, ndërkohë që sot, me çmimin absurd prej 2200 lekësh për litër, kjo është bërë praktikisht e pamundur;
Industria prodhuese, veçanërisht ajo eksportuese, do të ulte kostot deri në 25%, duke u bërë më konkurruese si në tregun vendas ashtu edhe në eksport.
Ky është realiteti. Dhe ajo që e bën edhe më të rëndë këtë situatë është fakti se Shqipëria vazhdon të renditet ndër vendet me çmimin më të lartë të karburantit në botë, një politikë që po shkatërron fermerët dhe po godet rëndë ekonominë familjare dhe prodhuese.
Refuzimi i këtyre nismave është një zgjedhje e pastër politike. Është vendimi i një qeverie që nuk ka asnjë vullnet për të ndërhyrë në mbrojtje të qytetarëve. Përkundrazi, Edi Rama ka zgjedhur të mos marrë asnjë masë konkrete për të përballuar krizën e çmimeve, duke i lënë familjet shqiptare dhe ekonominë vendase në mëshirë të fatit dhe zhvillimeve të konfliktit ne Lindjen e Mesme“, tha Bozdo.
Top Channel