PE kërkoi garantimin e pavarësisë së SPAK, Berisha: Nuk i bashkoj votat me Ramën për ndryshimin e organeve të drejtësisë

06/05/2026 14:45

Parlamenti Europian një ditë më parë miratoi në Komisionin e Jashtëm ku një paragraf i referohej pavarësisë së SPAK dhe garancive për të mos minuar punën e organeve të drejtësisë.

Pa u bërë 24 orë nga miratimi i këtij raporti, në Tiranë, Sali Berisha ka garantuar se nuk do të bashkojë votat me Edi Ramën për t’i ndryshuar organet e drejtësisë.

“Nuk ndërmarrim asnjë veprim për të bashkuar votën me Ramën për të ndryshuar organet e drejtësisë”, u shpreh Berisha ndër të tjera në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së.

“Jemi në një analizë të shkëlqyer të gjendjes, udhëkryqit shumë të rrezikshëm të vendit. Kërkon pavarësinë e SPAK-ut, dhe burime të përshtatshme, zgjerimit të kapaciteteve hetimore dhe mosminimin e punës së tij. Ja ku jemi këtu, të deklarojmë publikisht se në mënyrë absolute nuk ekziston asnjë shans që ne të marrim një votim apo një bashkëpunim me Edi Ramën për të dobësuar veprimtarinë apo për të ndryshuar ligjet për organet e drejtësisë. Jo.

Ato mund të kenë ndonjë problem, por ky e ka me qëllime tërësisht për t’i dëmtuar ato dhe veprimtarinë e tyre dhe kjo s’do pranohet në asnjë mënyrë nga Partia Demokratike.

Do të denoncohet, përkundrazi. Do bëjmë gjithçka që dyert, që puna e tyre të mos pengohet. Shteti të ketë ndarjen e pushteteve. Jo të gjitha pushtetet në duart e një e një kreu të organizatës kriminale që ka vendosur si moral të regjimit të tij, moralin e etëreve të tij”, tha Berisha.

Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian, duke iu referuar pavarësisë së SPAK thekson se “mirëpret punën e vazhdueshme të institucioneve të specializuara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë SPAK-un, dhe kërkon garantimin e pavarësisë së tyre të qëndrueshme, burimeve të mjaftueshme dhe kapacitetit operacional, pa kufizuar kompetencat hetimore dhe pa minuar punën e tyre”.

Top Channel