Lamtumirë gomone! Shqiptarët tani po futen ilegalisht me jahte në Angli, The Sun infiltrohet brenda grupin të trafikantëve
Forcat Shqiponja kanë vënë në pranga Aurel Deliun, 34 vjeç, banues në Nikël. Ai u kap në posedim të një arme zjarri pistoletë, teksa po lëvizte me një automjet.
Burimet policore bëjnë me dije se i riu ishte në shoqërinë e një personi tjetër gjatë kontrollit të ushtruar nga forcat Shqiponja. Aurel Deliu është i skeduar dhe ka precedent penal; më parë, në vitin 2021, ai u arrestua në Tiranë bashkë me një tjetër person, ndërsa dy të tjerë u shpallën në kërkim, pasi nuk iu bind urdhrit të policisë për kontroll.
Ngjarja e vitit 2021 ndodhi pranë zonës së “Xhamllikut” në Tiranë, ku katër të rinj – tre nga Kruja dhe një nga Tirana – udhëtonin me një mjet tip “Volkswagen” dhe kundërshtuan urdhrin e patrullës së Shqiponjave, duke u konfrontuar fizikisht me policinë. Gjatë kontrollit, policia sekuestroi një sasi të konsiderueshme parash në euro dhe lekë, celularë, gërshërë për prerjen e lëndës narkotike Cannabis Sativa, një portofol me stemën e policisë dhe armën e njërit prej të rinjve.
“Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve A. D. dhe A. T., 29 vjeç, ndërsa në kërkim u shpallën M. H. dhe B. K., pasi kundërshtuan me dhunë punonjësit e Policisë. Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën dhe sekuestruan një sasi e konsiderueshme parash në euro dhe lekë, sende që përdoren për prerjen e lëndës narkotike, një portofol me stemën e policisë dhe katër celularë, së bashku me automjetin,” njoftoi policia.
Top Channel