“Ka klauzola të papranueshme”/ Irani hedh poshtë propozimin e SHBA, Trump ‘frenon’ pritshmëritë për dialog të drejtpërdrejtë: Është shumë herët

06/05/2026 16:29

Irani ka reaguar ashpër ndaj një propozimi të fundit të Shteteve të Bashkuara, duke e cilësuar atë pjesërisht të papranueshëm, ndërsa nga ana tjetër, Presidenti amerikan Donald Trump ka minimizuar mundësinë e bisedimeve të drejtpërdrejta në këtë fazë.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Tasnim News Agency, e cila citon një “burim të mirëinformuar”, “propozimi i amerikanëve përmban disa klauzola të papranueshme”. Kjo u raportua edhe nga Ynet.

Ndërkohë, Ebrahim Rezaei, zëdhënës i Komitetit të parlamentit iranian për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme, i quajti pikat e treguara në memorandum, të zbuluara nga Axios, një “listë dëshirash amerikane [dhe] jo një realitet”.

Në të njëjtën kohë, nga Uashingtoni, Donald Trump është shprehur skeptik për përparimin e shpejtë diplomatik.

Duke folur për New York Post, ai deklaroi: “Unë nuk mendoj kështu. Është shumë larg”, duke shtuar se është “shumë herët” për të shqyrtuar bisedimet e drejtpërdrejta të paqes me Teheranin, pavarësisht thashethemeve për një marrëveshje të mundshme paraprake në formën e një memorandumi mirëkuptimi.

Top Channel