Inside Story/ Hakerat ‘shpartalluan’ sistemet digjitale shqiptare, a rrezikohet ‘Smart City’ në shkolla nga sulme të tilla…?!

06/05/2026 21:43

Diskutimi për Smart City është shumë interesant, sepse mund të shtrihet në shumë rrafshe njëherësh, nga shqetësimet që kanë ekspertët e teknologjisë, ata të sigurisë, por edhe ligji që qëndron si çekan në mes.

Kur flisnim vetëm në nivel qytetesh, duke referuar gjithmonë trafikun, zbardhjen e ngjarjeve kriminale, apo ndihmesën që mund të kishin ambulancat për të mbërritur sa më shpejt në vendngjarje, kishte një dakordësi të heshtur shumëpalëshe, por në momentin që u përfshinë edhe shkollat, situata ndryshoi…

‘Të kemi një bazë ligjore të rregulluar dhe të posaçme. Në lidhje me këtë projekt nuk e di nëse ka ndryshime ligjore apo kërkesa për ndryshime ligjore që janë të detyrueshme për t’u zbatuar ky projekt”, u shpreh Redi Ramaj, avokat.

“Akoma shkollat nuk kanë dijeni se çfarë do të ndodhë. Shkollat janë të monitoruara me kamerat, me këtë projekt do të monitorohen. Nuk kemi të bëjmë me kamera normale, por me funksione ekstra. Në mungesë të informacionit për prindërit, informacionit publik, do të thotë se qytetarët, prindërit, kanë të drejtë të ngrejnë pikëpyetje, apo të keqkuptojnë vendosjen e këtyre kamerave”, u shpreh Gentian Serjani, avokat.

Shqetësimi qytetar nuk është pa vend. Nëse i referohemi të dhënave të demos së projektit të siguruar nga Inside Story, me anë të Smart City-t kamerat inteligjente do të jenë në gjendje të evidentojnë fytyrat e njerëzve, targat e makinave, të bëjnë analizën e turmave dhe zbulimin e sjelljeve të dyshimta. Deri këtu, gjithçka duket në rregull si kriter sigurie. Por, pika më e fortë që ekspertët ngrejnë në lidhje me projektin është se ku do të ruhen të dhënat dhe kush do t’i menaxhojë ato?

“Nëse hyn një palë e tretë në të dhënat e qytetarëve të një republike, ai ka shkelur sovranitetin digjital dhe sovranitetin kombëtar. Të dhënat janë identiteti më i fortë i një kombi. Janë identiteti dhe pasuria më e madhe e një shteti. Pastaj se si i çojmë këto të dhëna që na i menaxhojnë palë të treta që sot janë miq e nesër armiq, kjo më pas është pikëpyetja më e madhe që ngrihet”, u shpreh Edmond Licaj, ekspert IT.

“Shqipëria e digjitalizoi nëpërmjet e-Albania të dhënat dhe shërbimet, pa u siguruar se ku do t’i ruajmë këto të dhëna. Ne më pas na u vodhën këto të dhëna. Ne edhe sot kemi hakerë dhe nxjerrin të dhëna. Që nga viti 2021 e deri më sot, hakerët nuk kanë ikur asnjë moment. Ia kanë shkëputur komunikimin me disa nga infrastrukturat, por nuk kanë ikur”, u shpreh Edmond Licaj, ekspert IT.

Duke pasur këto dilema të forta, ky shqetësim rritet disa herë kur bëhet fjalë për monitorimin dhe aksesin mbi shkolla.

“Nuk mund të bëhet parandalimi i incidenteve në shkolla vetëm duke vendosur kamera. I kemi pasur në institucionet arsimore edhe në rastin kur kanë ndodhur ngjarjet e rënda kriminale mes të miturve. Duhet të kemi struktura të mirëfillta që merren me parandalimin e këtyre rasteve”, u shpreh Gentian Serjani, avokat.

“Siguria në shkolla është trajtuar disa herë dhe nëse mendojmë se zgjidhja e vetme është monitorimi me kamera, është e pamjaftueshme. Siguria në shkolla e tejkalon monitorimin dhe pjesën se sa punonjës janë te dera, por më shumë ka të bëjë me mënyrën se si edukohen qytetarët, fëmijët dhe mësuesit që edukojnë këto fëmijë, është më shumë çështje kulture”, u shpreh Redi Ramaj, avokat.

Projekti Smart City do të pilotohet fillimisht në 20 shkolla, të cilat janë identifikuar si prioritare nga strukturat e sigurisë. Kjo, nisur edhe nga episodet e dhunës apo incidenteve të raportuara në vijimësi.

Projekti është në fazë implementimi dhe është parashikuar të zgjasë 18 muaj. Aktualisht, shkollat publike kanë të implementuar dhe në përdorim sistem monitorimi, i cili do të integrohet në platformën Smart City për identifikim dhe njoftim në kohë shumë të shpejtë të çdo ngjarjeje që rrezikon dhe cenon sigurinë.

Top Channel