Inside Story/ Kush do t’i kontrollojë të dhënat sensitive të fëmijëve që merren nga kamerat në shkolla? Frika e pasojave psikologjike…
Projekti Smart City do të kushtojë 112 milionë euro. Huaja e financuar nga Fondi i Zhvillimit të Abu Dabit u miratua nga Parlamenti më 13 Mars 2025 dhe ka marrë po ashtu pëlqimin e presidentit të Republikës.
Huamarrësi do të paguajë interes në normën katër për qind në vit. Periudha e shlyerjes do të jetë 15 vjet, përfshirë 3 vjet si periudhë mospagimi.
Shteti shqiptar do të paguajë çdo gjashtë muaj duke nisur nga 14 gushti i 2028 rreth 5 milionë dollarë çdo vit, deri më 14 shkurt 2040.
Janë katër shtylla kryesore në të cilat është llogaritur investimi i parave: licencat e softuerit, hardueri dhe infrastruktura, shërbimet profesionale dhe mbështetje dhe mirëmbajtje për 4 vitet e ardhshme.
“Me investimin që është bërë në teknologji prej vitesh, ne e kemi kaluar disafish investimin e nevojshëm në fushën e digjitalizimit. Termi Smart City është term iluzionist; kur imagjinojmë Smart City, duhet të ketë një infrastrukturë smart i gjithë qyteti. Duke qenë se në vendin tonë ka shumë probleme të tjera, përdorimi i këtij emri është jashtë realitetit për ne si komunitet dhe mua si individ,” u shpreh Edmond Licaj, ekspert IT.
Në dokument shpjegohet se projekti përfshin sigurimin dhe instalimin e platformave të inteligjencës artificiale për menaxhimin e qytetit dhe trafikut, përveç një qendre të avancuar kontrolli.
Po ashtu përfshin instalimin e radarëve të shpejtësisë dhe kamerave monitoruese për të përmirësuar sigurinë rrugore, përditësimin e kamerave ekzistuese dhe instalimin e fibrave optike për lidhje më të mirë me internetin.
Objektivi i përgjithshëm i projektit është rritja e sigurisë publike dhe përmirësimi i performancës së punonjësve të Policisë, duke instaluar sisteme elektronike për monitorimin dhe kontrollin më të efektshëm të territorit, si dhe ofrimin e informacionit të nevojshëm për parandalimin dhe/ose zgjidhjen e incidenteve.
“Sistemi Smart ka të bëjë edhe me uljen e krimeve dhe me ardhjen e ndihmës së zjarrfikëses, policisë dhe ambulancës. Kemi parë që ndonjëherë ndihma e shpejtë në aksidente nuk është dhënë në kohë. Me Smart City bëhet shumë më shpejt dhe në një mënyrë shumë më të koordinuar,” u shpreh Faik Basha, ekspert sigurie.
Një tjetër pikëpyetje apo kundërshti që ka pasur projekti ka qenë rritja e kostove të tij, pasi fillimisht ishte menduar të investohej vetëm 60 mln dollarë, por më pas studimet nxorrën një shifër të dyfishuar.
Fusha e veprimtarisë së Smart City-t nuk do të mbetet vetëm te Policia e Shtetit, por tashmë është konfirmuar se do të ketë impakt edhe në arsim. Kamerat inteligjente do të futen edhe në shkolla, në sistemin arsimor.
Debati më i madh është hapur pikërisht për këtë pikë, për monitorimin e fëmijëve dhe termin e shumë-njohur “Big Brother” në qytete.
Top Channel