Axios: SHBA dhe Irani pranë marrëveshjes për fundin e luftës. Teherani pritet të përgjigjet brenda 48 orësh

06/05/2026 11:43

Sipas raportimeve të Axios, Shtetet e Bashkuara dhe Irani janë afër një marrëveshjeje paraprake që synon t’i japë fund luftës dhe të hapë rrugën për negociata më të detajuara mbi programin bërthamor iranian.

Burime nga Shtëpia e Bardhë bëjnë të ditur se po diskutohet një memorandum mirëkuptimi njëfaqësh, i cili do të shërbente si kornizë për një marrëveshje më të gjerë. SHBA pret përgjigje nga Teherani brenda 48 orëve për disa pika kyçe.

Megjithatë, ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare, por sipas burimeve kjo është afërsia më e madhe mes palëve që nga nisja e konfliktit.

Ndërkohë, situata në terren mbetet e tensionuar. Sipas CNN, që nga fillimi i luftës janë regjistruar mbi 600 sulme ndaj objektivave amerikane në Irak. Sulmet me raketa dhe dronë kanë goditur disa herë objektet diplomatike amerikane në Bagdad dhe Erbil, përfshirë ambasadën dhe qendra të mbështetjes diplomatike.

Autoritetet amerikane paralajmërojnë se milicitë e lidhura me Iranin vazhdojnë të planifikojnë sulme të reja, ndërsa Uashingtoni i ka bërë thirrje qeverisë irakiane të ndërmarrë masa ndaj këtyre grupeve të armatosura.

Situata mbetet e paqëndrueshme, pavarësisht sinjaleve për një përparim diplomatik mes palëve.

Top Channel