Aksion blic në burgun e Fushë-Krujës, policia sekuestron disa telefona celularë dhe mjete të mprehta

06/05/2026 20:38

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka zhvilluar një aksion blic në burgun e Fushë-Krujës.

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi, së bashku me Drejtorin e Policisë së Burgjeve Paulin Rajta, zhvilluan një kontroll të befasishëm dhe të plotë në ambientet e institucionit, duke vendosur një standard të qartë për zbatimin e ligjit dhe disiplinës.

Kontrolli nisi në orën 17:30 dhe përfundoi në 19:30. Gjatë operacionit u konstatuan dhe u sekuestruan 3 telefona celularë, 3 ora/telefon, mjete të improvizuara të mprehta dhe sende të tjera të palejuara.

“Çdo tentativë për të cenuar sigurinë, rendin dhe rregullin në institucionet e vuajtjes së dënimit do të goditet menjëherë dhe pa kompromis.

Kontrollet do të vijojnë me intensitet të lartë në të gjitha IEVP-të. Askush nuk është mbi rregullat. Përgjegjësia do të jetë individuale dhe institucionale. Toleranca është zero”, shkruan Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në njoftimin e saj.

Top Channel