Aksidenti tragjik me humbjen e jetës së dy të miturve në Durrës, shkarkohet drejtori i Policisë së Durrësit

06/05/2026 19:42

Aksident i rëndë rrugor i ndodhur më 3 maj në lagjen nr.13 në Durrës, ku humbën jetën dy të mitur dhe u plagos një tjetër, ka sjellë përshkallëzim masash në radhët e Policisë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita, ka vendosur shkarkimin nga detyra të drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Afrim Tafa.

Fillimisht, pas ngjarjes tragjike, Tafa u pezullua nga detyra së bashku me dy zyrtarë të tjerë të lartë, zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike, Kryekomisar Zija Sulaj, si dhe shefin e Sektorit të Policisë Rrugore, Kryekomisar Kreshnik Skëndo. Sipas njoftimit zyrtar, pezullimi u bë për performancë të dobët në përmbushjen e detyrave.

Ndërkohë, drejtimi i përkohshëm i Policisë së qarkut të Durrësit i është besuar Ervin Hodajt, ndërsa Blerim Laçi është caktuar në krye të Sektorit të Qarkullimit Rrugor.

Ngjarja ka shkaktuar reagim të fortë në opinionin publik. Banorë të zonës kanë fajësuar institucionet vendore dhe policinë për mungesë të sigurisë rrugore, duke nisur edhe protesta.

Një grup ekspertësh nga Drejtoria e Policisë Rrugore po analizon shkaqet dhe rrethanat e aksidentit. Paralelisht, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur një hetim disiplinor për të verifikuar nëse ka përgjegjësi nga ana e efektivëve të policisë në këtë rast.

Hetimet vijojnë, ndërsa priten masa të tjera në rradhët e policisë në varësi të përfundimeve që do të dalin nga analizat dhe verifikimet.

Top Channel