Sulmet iraniane ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe, Ministria e Jashtme: Goditje të paprovokuara, shkelje e sovranitetit dhe të drejtës ndërkombëtare

05/05/2026 14:22

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë ka dënuar sulmet me raketa dhe dronë të ndërmarra nga Irani kundër Emirateve të Bashkuara Arabe.

Në një reagim zyrtar, ministria shprehet se këto goditje të paprovokuara ndaj infrastrukturës kritike, përfshirë objektet energjetike, përbëjnë një shkelje të qartë të sovranitetit dhe të së drejtës ndërkombëtare.

Shqipëria qëndron në solidaritet të plotë dhe të palëkundur me EBA, udhëheqjen e saj dhe popullin e Emirateve, si edhe me partnerët tanë në të gjithë Lindjen e Mesme.

Më tej Ministria e Punëve të Jashtme thotë se sulme të tilla janë të papranueshme dhe rrezikojnë më tej stabilitetin rajonal. Siguria në Lindjen e Mesme ka implikime të drejtpërdrejta për Evropën dhe më gjerë. Prandaj, bëjmë thirrje për përmbajtje, ulje tensionesh dhe një angazhim të ripërtërirë ndaj zgjidhjeve diplomatike.

Shqipëria do të vijojë të punojë ngushtë me partnerët e saj për të promovuar stabilitetin, paqen dhe sigurinë në rajon, thekson ministria.

Top Channel