PD kërkon ndihmën e Kushtetueses për të ngritur komisionet hetimore për McGonigal dhe zgjedhjet e 2025. Kuvendi: Mungojnë indiciet konkrete

05/05/2026 13:30

Në Gjykatën Kushtetuese është mbajtur seanca për shqyrtimin e ankimimit të deputetëve të Partisë Demokratike për ngritjen e komisioneve hetimore për çështjen “McGonigal” dhe zgjedhjet e 11 majit.

Demokratët kërkojnë që Kushtetuesja të përcaktojë detyrimin e Kuvendit në mënyrë që të ngrihet një komision hetimor për verifikimin e ligjshmërisë së të zyrtarëve të lartë shqiptarë në raport me ish agjentin e FBI-së.

Po ashtu deputetët e PD kanë kërkuar ngritjen e komisionit të dytë hetimor për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve të pushtetit qendror dhe vendor.

Diskutime nga seanca

Marash Logu: Ne vlerësojmë që kërkesat e ngritura nga ana jonë plotësojnë kushtet që ka përcaktuar jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese për ngritjen e Komisionit Hetimor.

Gazment Bardhi: Gjatë procesit parlamentar për të dyja komisionet është vërejtur një fakt që nuk mohohet. Neve na thuhet tjetër arsye në Konferencën e Kryetarëve, vihet në seancë, na thuhen të tjera arsye. Ne sot e kësaj dite nuk e dimë se cila është arsyeja… nuk e dimë nga ata arsyen, sepse ne e dimë. Arsyeja është një, vullneti politik për t’i mohuar opozitës kontrollin parlamentar. Një tjetër kërkesë për komision hetimor është në Kushtetuese, në javën në vijim do të sjellim dy kërkesa të tjera që janë rrëzuar po për komisionet hetimore. Neve nuk na pranohet asnjë kërkesë për interpelancë me Kryeministrin. Ky gjykim sot ka të bëjë me faktin nëse ne jemi republikë parlamentare që funksionon sipas Kushtetutës, apo republikë me vullnet të një partie që nuk lejon ushtrimin e të drejtës që ka pakica.

Kuvendi e ka refuzuar kërkesën e deputetëve të PD-së, ndërsa përfaqësuesi ligjor për çështjen e komisioneve hetimore i Kuvendit ka argumentuar vendimin e marrë gjatë fjalës së mbajtur në seancë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e ankimimit të deputetëve.

Ai u shpreh se nëse një kërkesë nuk është kushtetuese, Kuvendi ka të drejtë ta refuzojë.

Përfaqësuesi i Kuvendit:Për komisionin e parë, për çështjen McGonigal, bëhet fjalë për një proces penal të përfunduar në një juridiksion të huaj. Nuk ka procedim penal në Shqipëri. Nuk identifikohet asnjë akt konkret administrativ shqiptar që të jetë objekt hetimi. Pra, ngritja e komisionit hetimor do të rrezikonte mbivendosjen me kompetencat e pushtetit gjyqësor dhe cenimin e ndarjes së pushteteve.

Lidhur me zgjedhjet, raportet ndërkombëtare ku ata mbështesin pretendimet e tyre përmbajnë vlerësime, por nuk identifikojnë akte konkrete apo shkelje. Mungon një element thelbësor, që janë indiciet konkrete. Objektet e hetimit nuk përmbushin standardet kushtetuese. Kuvendi nuk është një organ formal që miraton çdo kërkesë. Nëse një kërkesë nuk është kushtetuese, Kuvendi ka detyrimin ta refuzojë”, u shpreh përfaqësuesi.

 

Top Channel