Përhapja e hantavirusit, reagon OBSH: S`ka nevojë për panik, rreziku për publikun i ulët

04/05/2026 14:55

Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se nuk ka nevojë për panik dhe se rreziku për publikun është i ulët, pas vdekjes së tre personave, ndërsa disa të tjerë janë prekur nga një shpërthim i dyshuar hantavirusi në një anije turistike në Atlantik.

Kompania holandeze Oceanwide Expeditions pohoi se po përpiqet të menaxhojë “një situatë serioze mjekësore” në anijen MV Hondius, e cila ndodhej pranë Kepit të Gjelbër kur u shfaq raste që mendohet të jenë pasoja e virusit të përhapur nga brejtësit.

Anija me 150 pasagjerë në bord kishte rreth tre javë në det, dhe kishtë ndaluar në disa vende gjatë rrugës së saj. Drejtori rajonal i OBSH-së për Europën, Hans Kluge u shpreh se nuk është e nevojshme të diskutohet për kufizime udhëtimesh.

Ai shtoi se OBSH-ja po vepron me urgjencë për të mbështetur përgjigjen ndaj shpërthimit dhe po bashkëpunon me vendet e përfshira për të siguruar kujdes mjekësor, evakuime, hetime dhe vlerësim të rrezikut për shëndetin publik.

“Sëmundjet nga hantavirusi janë të rralla dhe zakonisht lidhen me kontaktin me brejtës të infektuar. Edhe pse mund të jenë të rënda në disa raste, nuk transmetohen lehtë nga njeriu te njeriu”, tha Kluge.

Sipas OBSH-së, testet laboratorike konfirmuan praninë e hantavirusit tek një nga gjashtë personat e prekur, dhe verifikimet po vazhdojnë.

Top Channel